Dasma e çuditshme/ Çifti i jep fund beqarisë mes masave anti-COVID. Shikoni si festuan të ftuarit-FOTOT
Për shkak të pandemisë, shiut të madh dhe limitit prej 15 personash që mund të marrin pjesë në një ceremoni martesore, një çift doli në përfundimin se kishte vetëm një zgjidhje: dasmë me makinë.
Roma Popat dhe Vinal Patel respektuan kufizimet e Covid-19, duke bërë që 200 të ftuarit ta ndiqnin ceremoninë e zhvilluar në Britani të Madhe që zgjati katër orë, nga komoditeti i makinave të tyre, raporton “The Guardian”.
Të pranishme ishin më shumë se 100 makina të markave të ndryshme, ndërkohë që 300 të ftuarit e tjerë morën pjesë në ceremoni përmes lidhjes me video.
Çifti, të dy 30 vjeç, më vonë bënë një shëtitje në të gjithë fushën për të përshëndetur mysafirët e tyre, të cilët u binin borive dhe ndiznin dritat e makinave për të festuar.
Të ftuarve iu kërkua të qëndronin në makinat e tyre, nëse nuk kishin nevojë për të shkuar në tualet. Atyre u jepej diçka për të ngrënë, xhel antibakterial dhe kosha për plehrat.
Ata gjithashtu mund të përdornin një faqe në internet për të porositur ushqimin që do të shpërndahej në mënyrë të sigurt në automjetet e tyre nga kamerierët.
“Kur na u desh ta shtynim dasmën në prill, nuk kishim asnjë ide nëse do të ishim në gjendje të martoheshim këtë vit apo jo,”- tha Popat. “Por çdo gjë u bë realitet dhe kjo është një ditë që nuk do ta harrojmë kurrë”.