“Dashuria e vërtetë…”- Burri i Adelina Ismajlit ndan përvojën personale të numrit ters: Si na gjeti viti i 13-të i martesës

Me një foto ku shfaqen duke shijuar diellin e 13 viteve bashkë, Val Krasniqi, bashkëshorti i këngëtares nga Kosova, Adelina Ismaili, i ka uruar asaj përvjetorin.

Por ndërkohë që numri 13 është i komentuar si numër tersi, për çiftin rezulton ndryshe. “Dashuria e vërtetë nuk mbaron asnjëherë. Ajo njeh presje, por asnjëherë pika. 13 vite bashkë, gëzuar përvjetorin zemër!”, ka shkruar Krasniqi në foton e publikuar në llogarinë e tij. Adelina dhe Val janë prindër të një djali që erdhi në jetë në vitin 2017.

E ftuar në ‘Prive’ disa kohë më parë, këngëtarja pranoi se e mendon dhe ardhjen në jetë të një fëmijë të dytë që do dëshironte të ishte vajzë. Për 8 mars, Adelina Ismajli u surprizua nga bashkëshorti i saj, Val Krasniqi. Ai ia bëri atë ditë shumë të lumtur këngëtares, teksa i bëri një dhuratë superluksoze.

Val Krasniqi i dhuroi një makinë tip “Renault” dhe sipër kofanos kishte vendosur një fjongo. Adelina Ismajli ndau momentin me ndjekësit dhe i bëri një dedikim të veçantë bashkëshortit. Ajo shprehej se nuk është materialiste, madje nuk di të dallojë as autobusin nga “Porsche”, dhe të lumtur nuk e bëri makina, por gjesti i Val Krasniqit, teksa shtoi se “falënderon Zotin që është gruaja e tij”.

“Janë disa momente në jetë kur edhe super llafazanët mbyllin gojën! Ti e di që unë nuk jam materialiste, nuk jam, as nuk kam qenë kurrë, nuk e dalloj dot ‘Porsche nga autobusi. Por është dedikimi yt dhe dashuria jote që sot e çdo ditë më bën të falënderoj Zotin që jam grua, gruaja jote. Faleminderit që ma bërë këtë 8 mars më të bukur në jetë. Të dua!”, shkroi këngëtarja, krahas pamjeve ku dukej edhe dhurata.

Adelina është tashmë 42 vjeçe dhe këtë fakt e pranon gjithë krenari kur miqtë habiten se si është e mundur që një artiste aktive prej dy dekadash në skenë e tashmë nënë, duket njësoj si para 20 viteve. Për ata që s’e dinë, vetë këngëtarja e njohur Adelina Ismajli e ka deklaruar moshën në një koment që ka bërë poshtë një postimi ku shihej teksa firmoste një marrëveshje punë.

E përveç deklarimit të moshës së saj pa asnjë kompleks, Adelina foli për herë të parë publikisht për moshën e bashkëshortit prej vitesh, Val Krasniqit. Në urimin që Vali i bënte në “Instagram” duke i thënë “Suksese zemër!”, Adelina iu përgjigj: “Val Krasniqi, ti je suksesi im më i madh… Edhe pse 3 vjet më i ri se unë, je i vetmi që ia heq kapelën. T’du zemër”.

Askush nuk e dinte deri atë moment moshën e saktë të Valit, edhe pse duken si moshatarë, madje komentohen shpesh për ngjashmërinë e madhe fizike. Ishte pikërisht Vali dhe historia me të, që Adelina të gjente stabilitetin e ëndërruar në jetën private, të linte Kosovën e të niste një jetë të qetë në Zvicër.

Por kjo nuk ishte hera e parë që ajo ia shprehte atij mirënjohjen. Pak kohë më parë, këngëtarja e njohur ndau një moment pranë bashkëshortit të saj, e falënderoi për çdo gjë që ka deri tani në jetë.

“Faleminderit Zot për të gjitha! Dashurinë me të cilën më ke bekuar, familjen time, miqtë e mirë pafund dhe shëndetin. Të dua Val Krasniqi!”, shkruante Adelina poshtë fotos ku po shijonte drekën me njeriun më të dashur të saj dhe djalin e tyre.

Fansat e Ismajlit lanë komente nga më të ndryshmet, duke e komplimentuar këngëtaren për familjen e saj të bukur e duke i theksuar se duhet të ndajë më shpesh momente si këto në rrjetet e saj sociale. Këngëtarja Adelina Ismajli u bë nënë katër vjet më parë, pasi në prill të 2017-ës solli në jetë djalin.

Në intervistat e fundit ajo ka folur për të rejat në jetën e saj dhe konfirmoi se po mendon për fëmijën e dytë. Ajo tha se ka dëshirë të lindë një vajzë. Edhe kur kishte kuptuar se ishte shtatzënë për herë të parë kishte dëshiruar një vajzë, po me ardhjen e Uliksit në jetën e saj, këngëtarja e ka kuptuar se edhe djemtë janë shumë simpatikë.

Të shohim se kur do të bëhen prindër për herë të dytë Adelina dhe Vali, të cilët prej vitesh jetojnë në Zvicër. Sa i përket karrierës, kohët e fundit ajo iu kthye televizionit me një emision të sajin.

/Panoramaplus.al