Dashuria apo karriera, “pantera” Naomi Campbell shuan dilemën e madhe të femrave
Naomi Campbell është padyshim një nga super modelet më të mira të të gjitha kohërave. Megjithatë për të qenë kjo që është sot, asaj i është dashur të bëjë shumë sakrifica. Në një intervistë për “The Cut”, 51-vjeçarja nga Londra pranoi se ka sakrifikuar dashurinë për suksesin e karrierës së saj.
“Unë do të thoja që sakrifica ishte gjetja e shpirtit binjak që të kupton.” tha modelja dhe aktorja angleze. Campbell, e cila nuk ka qenë kurrë e martuar shtoi: “Unë jam e fortë, por jam gjithashtu e ndjeshme.
E di që në marrëdhënie më duhet të bëj kompromis”. Edhe pse aktualisht beqare, modelja ka bërë shumë bujë ndër vite me lidhjet e saj. Në vitin 1993, ajo u fejua për pak kohë me Adam Clayton.
Më vonë u fejua me Flavio Briatoren, një biznesmen italian, por ata u ndanë në 2002 pas katër vitesh. Campbell gjithashtu ka qenë në një lidhje me Leonardo Di Caprio, Usher, Robert De Niro si dhe ish-këngëtarin e One Direction Liam Payne, por dhe reperin britanik Skepta.
Kujtojmë që modelja zbuloi në maj se ishte bërë nënë për herë të parë. “Një bekim i vogël i bukur më ka zgjedhur të jem nëna e saj, aq e nderuar që kam këtë shpirt të butë në jetën time. Nuk ka fjalë për të përshkruar lidhjen e përjetshme që tani ndaj me ju engjëlli im. Nuk ka dashuri më të madhe”, u shpreh “Pantera e Zezë”.