Dania Bazaiti: Pagesat ofenduese për modelët në Shqipëri, e vërteta është që fitojmë vetëm 2000-5000 lekë të reja për sfilatë
Nudo artistike, që më shumë se zhveshje trupore mund të konsiderohen zhveshje shpirtërore për të dëshmuar atë çfarë ndodh brenda një zemre të dëshpëruar. Protagonistja e këtij seti të veçantë artistik fotosh që bënë bujë është modelja 52 kilogramë, Dania Bazaiti. Ajo pozoi në mënyrën më të veçantë të mundshme për editorialin “Shapes of a loving heart”, i realizuar nga fotografi Renuar Locaj për revistën amerikane “Ellements”. Pas këtij nuditeti fshihet historia, se si një njeri i zhytur në baltë kapërcen çdo gjë dhe rilind si person më i fortë se më parë, duke kaluar të gjithë vështirësitë. Modelja që ka prekur ëndrrën e modës milaneze dhe synon Londrën, rrëfen për revistën “Story” si e përjetoi bujën e fotove të fundit dhe sa para vlen fama e një modeleje të vërtetë në Shqipëri.
Krahasuar me tregun e modeleve në vendet aziatike, çfarë duhet të kesh kujdes kur synon të depërtosh në tregun milanez apo londinez?
Në vendet aziatike ka konkurrencë, por është treg më i gjerë dhe mundësitë për punë janë më të larta.
Po Europa si i trajton modelet?
Europa është më skeptike dhe e ashpër si treg. Duhet të kesh shumë kujdes ne prezantimin e parë para klientëve në casting. Look-u duhet të jetë shumë i kuruar, që nga flokët, thonjtë, lëkura dhe veshja.
Sa i takon këtij profesoni në Shqipëri gjithmonë është folur për pagesat e ulëta. Sa variojnë tani pagat për ju që e keni modën profesion?
Po, është e vërtetë. Pagesat janë të ulëta prandaj dhe unë kam vendosur të jem pak pasive në Shqipëri, pasi nuk ekziston ende një treg i mirëfilltë. Pagesat janë ofenduese kur mendon që ti u fal klientëve imazhin tënd dhe produktet i shesin me 10-fish më shumë se sa pagesa që u bëjnë modeleve. Sa për pagesat aktuale di që varion tek 2000 lekë deri në 5000 lekë të reja për një sfilatë.
Ti hyn tek modelet me format elegante klasike. Të kolmet kanë vend në terrenin tuaj?
Por edhe ato të kolmet kanë punë specifike që kërkohen, më shumë si fotomodele dhe jo për pasarelë.
Si duhet të jenë përmasat për të qenë e pëlqyer në tregun europian si modele?
Vazhdojnë të pëlqehen modelet e dobëta dhe me përmasa më pak se 90-60-90, sidomos në tregun europian.