Dalin pamjet, Safet Gjici dhe Alma Kaçi në gjykatë

Kjo është fotoja që vjen nga seanca që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici. Ai do të njihet këtë të hënë me masën e sigurisë.

Në sallë është edhe Alma Kaçi, gruaja e cila filmoi videon intime me Gjicin. Aktualisht ajo ndodhet në arrest shtëpie, por sot gjykata pritet të vendosë nëse do ta lërë në fuqi masën e sigurisë apo do të vendosë një tjetër.

“Safet Gjici ndodhet brenda kafazit të xhamtë ndërsa Alma Kaçit meqenëse i është caktuar masa e sigurisë në mungesë nga Gjykata e Posaçme ndodhet e ulur në bankën e të dyshuarve e shoqëruar edhe nga avokatja e saj”, raportoi gazetarja Glidona Daci.

Kujtojmë se kur 40-vjeçarja Kaçi mbërriti në gjykatë zgjodhi që të mbulojë fytyrën e saj (Lexo më shumë).

Hetimet për Gjicin nisën disa ditë më parë, pas publikimit në rrjetet sociale të një video me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me shtetasen Alma Kaçi.

Alma Kaçi mbërrin në Gjykatën e Posaçme

Pas aktit seksual, ata diskutojnë në zyrë për një projekt që do të financohej nga bashkia për izolimin e qenve endacakë në Kukës. Menjëherë më pas, Gjici thërret në zyrë një vartësin e tij që të merret me dokumentacionin që do dorëzojë shtetasja Alma Kaçi.

Prokuroria kreu një sërë verifikimesh për rastin, duke ngritur në përfundim akuzat e korrupsionit për të dy të hetuarit.

Safet Gjici dhe Alma Kaci

51-vjeçari Safet Gjici akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” neni 260 i kodit penal ku nëse do provohet akuza ai mund të dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

40-vjeçarja Alma Kaçi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” neni 245 i Kodit Penal ku nëse do provohet akuza ajo mund të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 245

Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013) Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 260

Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013) Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet./tvklan.al