Dalin pamjet nga dasma e Silvio Berlusconit, por martesa me deputeten nuk ka asnjë vlerë ligjore
Silvio Berlusconi është martuar me partneren e tij, Marta Fascina. Por martesa e 85-vjeçarit me 32-vjeçaren të cilët janë në lidhje prej tre vitesh nuk do të ketë asnjë vlerë ligjore, por vetëm simbolike, kjo për shkak të mosmarrëveshjeve për trashëgimin që Berlusconi ka me familjen e tij.
Ceremonia martesore u mbajt në një pronë historike të quajtur Villa Gernetto në qytetin Lesmo, në veri të Milanos. Mungonte vetëm certifikata zyrtare e martesës. Por gjithçka tjetër, në ditën e veçantë që Silvio Berlusconi dhe Marta Fascina donin t’i jepnin njëri-tjetrit, ishte aty. Si në një dasmë të vërtetë!
Marta Fascina kishte veshur një fustan të bardhë me dantellë franceze nga Antonio Riva, ndërsa në altar e shoqëroi babi i saj. Atje e priste Berlusconi, me një kostum blu Armani, që tregoi sesi lindi historia e tyre tre vite më parë, duke përfunduar kështu: “E imja është një dashuri e madhe për ty, Marta. Është diçka që nuk e kam provuar kurrë më parë, dhe tani për mua ti je e domosdoshme! Më ke qenë pranë në kohë të vështira, më ke ndihmuar. Ti më kompleton, nuk jetoj dot pa ty, ti ma mbush jetën.”
Në fund të betimeve, turma prej 60 të ftuarish brohoriti “Rroftë çifti” , përfshirë fëmijët e Berlusconit – përveç Piersilvio, i cili kishte bërë të ditur se donte të shmangte vendet ku mund të përhapet Covid.
Vila ishte mobiluar me 150 statuja, ndërsa menuja kishte mish viçi me verë të kuqe dhe një akullore, të gjitha të shoqëruara nga verërat Aneri dhe muzikë romantike në sfond.