“Dajo dhe Djali i ri”- “Zbërthehet” Ernejt Shyti, tregon nofkat e dy bashkëpunëtorëve të tij në vrasjen e Behar Sofisë: Do kryenin edhe 2 ekzekutime të tjera

Rrëfimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ernejt Shyti ka nxjerrë në dritë detaje të reja nga ekzekutimi i biznesmenit Behar Sofia në kryeqytet.

Ernejt Shyti, i dyshuar si ekzekutori i biznesmenit, ka treguar nofkat që përdornin dy prej bashkëpunëtorëve të tij.

Para togave të zeza, gjatë ditës së sotme (14 prill), i riu ka dëshmuar se shtetasi Skënder Vathi njihej si “Dajo”, ndërsa Leonard Xhixha me njofkën “Djali i ri”.

Ai ka zbuluar se me Skënder Vathin është takuar para ngjarjes në terminalin ndërqytetas të autobusëve pranë Qytetit Studenti. Sipas tij, ditën e krimit ai nuk i kishte dalë në takimin pranë Liqenit Artificial.

“Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-ekspozita. E identifikova por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milion lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do ti merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, me Xhuljano Vishën, më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin.

Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Xhuljano Visha do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur nuk e di. Ditën e krimit, nuk mu shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllain dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund as për të ngrënë.

Për komunikim me anëtarët e grupit, kisha një telefon të markës “Iphone” që ma dha Xhuljano Visha të cilit ia ktheva dhe një “Nokia” që ma dha Leonard Xhixha. Ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shënjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”, tregoi ai.

Planifikimi i 2 ngjarjeve kriminale

Ernejt Shyti zbuloi grupi kishte përgatitur edhe dy vrasje të tjera, atë të një 34-vjeçari në Kamëz dhe të një tjetër shtetasi në Gjermani.

“Për asnjërin nuk kisha as emër as fotografi. Xhuljano Vishaj më kishte porositur, por pa më dhënë detaje. Për vrasjen në Kamëz më kishte thënë që do e kryente vetë, ndërsa atë në Gjermani do e kryeja unë përkundrejt 500 mijë eurove”, rrëfeu ai.

Panorama.al