Dafina: ‘Nëna na rriti e vetme, që të mos traumatizoheshim nga i ashtuquajturi ‘baba’’
Përmes disa postimesh në Instagram, Dafina Zeqiri u ndal te marrëdhëniet abuzive, përfshirë këtu edhe ato që ka përjetuar personalisht.
“Si shpjegohet: Sa herë një grua përdhunohet, abuzohet, kërcënohet, madje edhe vritet, një nga justifikimet kryesore që dëgjon nga “djali” është: ‘Ajo deshi’/Ajo e ‘kërkoi’ vetë!’” – shkruan Dafina.
Në vijim, ajo thotë se këta njerëz akuzojnë gratë për krimet e tyre dhe më pas ndalet te përvoja personale.
“Mos i lejoni të marrin vëmendja nga budallallëku i tyre. Mos lejoni që të bëjnë krime dhe të fajësojnë një grua. Ndalojini që të hedhin më shumë baltë mbi një grua.
Kam qenë në një marrëdhënie abuzive në fillim të karrierës sime dhe gjejeni kush u fajësua. Unë! E njëjta gënjeshtër për emrin tim: Ajo më tradhtoi! Asnjëherë nuk pata ndihmë dhe mbështetje nga sistemi sepse ishte i korruptuar! Për vite me radhë, dëgjoja komente dhe brroçkulla. Ndërkohë djali ecte me kokën lart sepse mori vëmendje.”
Këngëtarja shkruan se “emri i saj është përmendur shumë herë për lajme të rreme për x persona.” Në një tjetër postim, referuar rrëfimit të një ndjekëseje që ndër të tjera shkruan se i dha fund një raporti për të mos rritur fëmijët në një marrëdhënie abuzive, Dafina shton:
“Ja pse nëna ime na rriti e vetme! Në vend që të na linte të traumatizoheshim nga i ashtuquajturi ‘baba’. Dhe sërish ajo u gjykua nga burra dhe gra që thanë: Nuk mund t’i rrisësh e vetme. Ose që diçka nuk shkonte me të. Më shihni mua [sot].”
Nuk është hera e parë që Dafina flet për faktin që e ëma i rriti e vetme, atë dhe motrën e saj, Besën. Ndonëse këngëtarja nuk ka folur publikisht për këtë temë, në një intervistë për Panorama në vitin 2012, Besa tregoi se i ati i braktisi kur ishin të vogla.
“Babai ynë asnjëherë nuk është kujdesur për ne, ai na ka dashur të vdekura kur kemi qenë bebe të vogla. Pasi të shihni dokumentacionin e lëshuar nga policia dhe gjykatat suedeze, ato le të flasin se si na ka braktisur mua dhe Dafinën kur kemi qenë të vogla, unë 5 muajshe kurse Dafina 15 muajshe. Pas 6 muajsh, policia suedeze na ka gjetur në një fshat të Ferizajit,” u shpreh ajo, deklaratë e cila u mohua asokohe nga i ati i tyre.