Ç’po ndodh me historinë e dashurisë dhe “fejesën” e Redon Makashit?
Nëse kudo në rrjetet e tua sociale sheh lajme mbi “fejesën” e Redon Makashit, nuk je vetëm. Duke qenë se këto lajme janë kudo, ndiejmë për detyrë të të tregojmë historinë dhe të bëjmë një përmbledhje.
Na lexo me vëmendje!
Rreth 4 ditë më parë, nëpër media qarkulloi lajmi se “beqari i përjetshëm”, Redon Makashi, ishte fejuar.
Nëpër portale qarkulloi një foto e Redon Makashit me koreografen Rexhina Çuko, e cila na tregonte unazën e fejesës. Sigurisht, portalet shkruan mbi këtë lajm, por nuk vonoi shumë dhe Redoni e përgënjeshtroi lajmin dhe sqaroi se lajmi që po qarkullon nëpër portale, ishte i rremë dhe se nuk kishte asnjë lidhje me personin në fjalë (?).
Më pas, Rexhina, e ftuar në “Ftesë në 5”, pranoi se ka pasur një lidhje me Redonin, por tanimë kjo marrëdhënie ka marrë fund, madje edhe unazën ia ka kthyer këngëtarin.
Ajo tregoi versionin e saj, duke thënë se përballë gjithë lajmeve, nuk ndihej shumë mirë me faktin që një pjesë kaq private e jetës së saj, mori një vëmendje kaq të madhe.
“Ne kemi qenë bashkë dhe unë nuk do ta mohoja kurrë diçka të bukur, një dashuri të bukur, është një dashuri vërtet e bukur”, tha Rexhina dhe theksoi se nuk e di arsyen se pse Redoni e mohoi lidhjen me të, megjithëse nuk e fajëson sespe secili e di vetë se si e sjell jetën private para publikut.
“Unë do thoja që kemi qenë vërtet (të lidhur), ishte një marrëdhënie shumë e bukur, nuk do ta mohoja, domethënë, nuk e kam guximin për ta mohuar, por tani ne nuk jemi më bashkë me njëri-tjetrin. Nuk jemi më të fejuar”, shtoi Rexhina, e cila tha dhe se ajo dhe këngëtari i dhanë fund fejesës pas situatës së krijuar.
Balerina tha edhe se ia kishte kthyer unazën ish-partnerit të saj, duke e nënvizuar se doli publikisht në media për ta dhënë këtë sqarim, pasi e ndjeu si detyrim ndaj familjes dhe vëllait të saj, që, sipas saj ishin shumë të shqetësuar nga mohimi i lajmit nga ana e Redonit.
Ndërkohë, Redon Makashi, i ftuar te “Goca dhe Gra” përgënjeshtroi sërish lajmin e fejesës. “Fejesa është diçka shumë e madhe për mua, nëse do të arrija ta thoja unë me gojën time, gjithsesi s’doja të flisja për jetën private. Personi që është folur e njoh. Nëse do të kishte diçka, do të dilte nga goja ime”, shtoi Redoni, duke theksuar edhe që kjo temë u përfol shumë.
Tani, të vërtetën e dinë vetëm Redoni dhe Rexhina, por ne menduam për ty, që të kesh një tablo më të qartë të të gjithë dramës.