Ç’ndodhi me Rezart Veleshnjën, si u zhduk pasi publikoi SMS-të me të dashurën

Me shumë gjasë, në fillim ndjekësit e tij në rrjetet sociale kanë menduar se Rezart Veleshnja ishte duke përgatitur një nga rolet e radhës për spektaklin “Portokalli”, që e bëri atë të njohur.
Dhe do të kishte qenë e këndshme sikur të kishte qenë në mos një rol, një shaka e aktorit të humorit. Por jo, Rezart Veleshnja dje, përgjatë gjithë ditës është “hakmarrë” ndaj ish-së dashurës, duke nxjerrë faqe botës tradhtinë e saj.

Sipas tij, ish e dashura e tij L.M. frekuentohej me 4 meshkuj paralelisht. Kjo zbulesë duket se ka qenë e tmerrshme për aktorin, i cili ka dalë jashtë kontrollit dhe bombardoi rrjetet sociale me postime kundër vajzës në fjalë. Aktori që ironizonte mentalitetin e humbur të një fshatari nga Pishkashi, rol me të cilin rrëmbeu jo pak simpati e bëri shumë admirues, është shprehur me një fjalor tejet fyes ndaj ish-së dashurës, madje duke treguar edhe detaje rreth “historive” të tjera të saj.

Në këtë mënyrë, ai ka shkelur jo vetëm privatësinë e ish-partneres së tij, por edhe duke u bërë vet objekt komentesh. Edhe pse zbulon se i kishte blerë një unazë diamanti 8 mijë dollarë, kjo nuk e justifikon mungesën e etikës nga ana e tij. Madje, ai ka cenuar edhe privatësinë e miqve të tij, duke u publikuar biseda që janë bërë privatisht në telefonin e tij celular. Këtë sulm ndaj ish- të dashurës, aktori e ka bërë edhe përmes një postimi-video. Pas kësaj ai ka fikur telefonin dhe ka qenë e pamundur të kontaktoje me të.
Pas disa orësh, ai ka postuar një tjetër video në Instastory, ku shpjegonte se nuk ishte në dijeni të kësaj që kishte ndodhur se adresa e tij në instagram kishte rënë pre e hakerave. Në këtë video ai thotë se ka qenë në udhëtim, madje po fliste nga aeroporti dhe se do ta ndiqte këtë çështje përmes policisë.

MBËSHTETJA E RRJETIT
Aktori i humorit nuk e ka marrë asfare me humor dështimin e radhës në dashuri. Atëherë kur mendonte se kishte gjetur dashurinë e jetës, ai u gjend përpara një tradhtie të shumëfishtë. Kur Veleshnja ndau fatkeqësinë me ndjekësit e tij të rrjetet sociale ishin të shumtë ata që e mbështetën, duke e quajtur një “djalë flori” dhe një aktor që i ka bërë të qeshin me lot shqiptarët brenda e jashtë kufijve, por ajo që vihet re në komentet e tyre ishte se si ata me shumë dashamirësi përpiqeshin ta “ftillonin” aktorin që të mos merrej më me këtë histori.

Sigurisht, për t’i dhënë zemër aktorit zemërthyer, nuk janë kursyer në sharje për vajzën. Shumë syresh ishin edhe femra. “Nuk ia vlen, i jep më shumë rëndësi. Një buçë rruge”, i shkruante një mikeshë e tij. “Na bon me mallku veten që jena femra se shih ça bo tjetra”, shton një tjetër, me gjasë e njohur e aktorit, që merr si përgjigje reagimin e këtij të fundit që e quan ish-të dashurën “kurvë ordinere”. “Po ç’i kushton vëmendje, ty të do gjithë Shqipëria”, i thotë një tjetër. “Boll e mbajte mendjen”, e këshillon dikush, si për t’i vënë kapak kësaj historie.

POSTIMET
Pavarësisht këshillave të miqve për ta mbyllur këtë kapitull, Veleshnja ka vazhduar e vazhduar të postojë statuse e duke e etiketuar vajzën me “epitete” nga më të larmishmit, me dëshirën për ta “fëlliqur” publikisht. “Faleminderit të gjithëve për mbështetjen, por s’kam çfarë bëj me një që mban 4 përnjëherësh! Mjerë ai që bën si mjeshtër dhe mendon se e ka vetëm ai!”, ka shkruar në një prej postimeve në “Instastory” aktori, teksa e shoqëron edhe me një të qeshur, që me siguri është e hidhur.
Çdonjëri prej postimeve shoqërohej edhe me fotografi të vetë atij, duke bërë grimasa nga më të ndryshmet për të shprehur habinë dhe zhgënjimin. “Bota është e mbushur me plehra si L.M. Edhe e forta është se e di kush është ai hallexhiu që i shkon pas! Ta dijë ai i mjeri…”, shkruan ai në një tjetër postim. Veleshnja, i bindur se do ta “degjenerojë” publikisht dhe do t’u hapë sytë të “dashurve” të tjerë të vajzës që nuk e dinë se ajo i tradhton, ka vijuar me “lutje” të tipit: “Zoti e rujt L. M. Të paktën mos merr më qafë meshkuj të tjerë. Pace”.

Rezart Veleshnja, si Sandër Mafishja
Vajzën që dje donte ta “degjeneronte”, disa muaj më parë Rezart Veleshnja e prezantonte si “Irena” e “Pallatit 376” dhe veten si Sandër Mafishja, që e kishte ndjekur, studiuar e dashuruar. “Ujku, ujku, ujku! U bë nami me portalet, por në fakt, kjo është ajo që unë kam ndjekur, kam studiuar, edhe kam dashuruar,- tha Sandër Mafishja! Tani u bëra vet mafishe pas kësaj! Love u my babe”, shkruante në tetor të vitit 2018 Rezarti./Gazeta Panorama