“Ç’më bënë maskarenjtë”, fjalët e fundit të shoferit të prokurorit
Gjendja u përkeqësua papritur, si ndërroi jetë në spital shoferi i prokurorit. Fjalët e fundit të Andi Malokut.
Shoferi i prokurorit Arjan Ndoja ndërroi jetë ditën e djeshme në Spitalin e Traumës. 24-vjeçari u plagos në atentatin e një jave më parë te Mbikalimi i Shkozetit në Durrës.
Sipas “Panorama”, mbrëmjen e së mërkurës, ai kishte dalë nga reanimacioni dhe ishte shtruar në pavijon. Miqtë dhe familjarët e tij po diskutonin me mjekët se sa mundësi kishte që të ecte sërish, pasi një plumb i kishte prekur shtyllën kurrizore.
Ndërsa dje gjendja e Andi Malokut është përkeqësuar. Burime nga Spitali i Traumës thanë se 24-vjeçari ka shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe menjëherë është dërguar në reanimacion, ku është mbajtur për dy orë në terapi intensive.
Mjekët dyshuan për një tromboemboli. Plumbat i kishin dëmtuar të dyja anët e mushkërive dhe dyshohet se për këtë arsye kanë nisur edhe komplikacionet pasditen e djeshme. “Nuk i ndjej më këmbët, ç’më bënë maskarenjtë!”, këto kanë qenë fjalët e fundit në spital të 24-vjeçarit, teksa po e dërgonin për të kryer një skaner.
Në njoftimin zyrtar për ngjarjen e atentatit, Policia tha se Andi Maloku është 30 vjeç, kur, në fakt, ai ende nuk i kishte mbushur 24 vjeç. Më 30 nëntor kishte ditëlindjen.