Çiljeta Xhilaga rrëfen bashkëjetesën 5-vjeçare me Alban Hoxhën: Kam luftuar për dashurinë, ja pse ai nuk do që ta tregojmë historinë tonë publikisht

Prej vitesh këngëtarja Çiljeta Xhilaga është në një lidhje dashurie me futbollistin Alban Hoxha, me të cilin u bë kohë që bashkëjeton në shtëpinë e tyre në Tiranë.

Edhe pse tashmë të gjithë e dinë këtë fakt, përsëri Çiljeta dhe Albani preferojnë ta mbajnë sa më larg syrit mediatik marrëdhënien e tyre. Por e ftuar së fundi në “E diell”, Çiljeta është pyetur se kur do ta veshë fustanin e nusërisë në jetën reale, pasi në jetën profesionale e ka veshur shpesh.

“Nuk i dihet. Kam luftuar për dashurinë dhe ia ka vlejt”, është shprehur Çiljeta. Ndërkohë, gjithashtu ka treguar dhe arsyen pse ajo dhe Albani nuk dalin kurrë në intervista bashkë. Këngëtarja zbulon se Albani nuk dëshiron të shfaqet në ekran e të flasë për këtë histori dhe se ai ka vendosur që ata të mos dalin kurrë çift bashkë në ndonjë intervistë televizive. Ai ka dëshirë që jeta private të mbetet e tillë, dhe unë po ashtu, u shpreh Çiljeta.

“Jemi seriozë, s’i kemi qejf këto punë. Mua më ka pëlqyer privatësia dhe Albanit edhe më tepër”, ka thënë Çiljeta.

Ndër të tjera ajo tha se kanë vendosur kështu, pasi shumë çifte të njohur, sipas saj, që janë ekspozuar kështu, janë ndarë si përfundim. Kështu këngëtarja Çiljeta Xhilaga së fundmi ka vendosur të na tregojë pak më shumë në ekran, nga jeta e saj private dhe sidomos marrëdhënia me portierin e “Partizanit”, Alban Hoxhën.

Para ca kohësh, me anë të një postimi në “InstaStory”, ajo ndau një moment nga loja e fundit në fushë e portierit, duke i thënë publikisht “Të dua”, deklarata që më parë nuk i kishte bërë kaq hapur.

E ky çlirim i Çiljetës e ka një shpjegim dhe bëhet fjalë për sigurinë e fituar në këtë marrëdhënie, në këtë vit të pestë të lidhjes. Këngëtarja pak kohë më parë foli për të parën herë për marrëdhënien e saj 5vjeçare me Alban Hoxhën, portierin e “Partizanit”.

Ndër të tjera, ajo tha se ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e të birit, Fernandos, sepse ai ka qenë vetëm 3 vjeç kur Albani i është bashkuar familjes së saj. Mirëpo, ç’raporte ka Çiljeta me familjen e Albanit?

Edhe këtë fakt Çiljeta na e ka treguar hap pas hapi, me postimet e saj. Ajo postoi në “Instagram” një video të shkurtër ku shfaqej në kafe bashkë me motrën e Albanit, Ledën, teksa në sfond dëgjohej që e thërret me përkëdheli “dudu”.

“E moj kunatë”, shkroi këngëtarja krahas postimit, të cilin e shoqëroi me emojin e një zemre të kuqe, dhe me një emoji trëndafili të kuq. Më parë, Xhilaga na kishte treguar edhe se si shkon me vjehrrën, nënën e partnerit të saj.

Ajo publikoi një video në “Instastory”, në të cilën shihej vjehrra e saj duke gatuar, ndërsa Çiljeta dëgjohej duke i thirrur ‘muçi’. Ndërsa në një intervistë për “Jashtë loje”, këngëtarja foli shumë për jetën e saj personale.

Çiljeta tregoi se vazhdon të shijojë e qetë dashurinë me portierin e Partizanit dhe Kombëtares Shqiptare, Alban Hoxha, dhe ka kuptuar prej kohësh se ata janë bërë për njëri-tjetrin.

Ajo foli edhe për marrëdhënien që ka i biri, Fernando, me Albanin, duke qenë se portieri është bërë pjesë e familjes së tyre kur i biri ishte vetëm 3 vjeç:

“Fernandos sigurisht i ndikon prania e Albanit. Kur ishte më i vogël, thoshte kur të rritem do pres topa si Albani, por tani ka ndryshuar, është më shumë te muzika. Kurse djali i Albanit është i lindur dhe i prerë për këtë gjë. Kur e merrja Fernandon me vete në stadium kur ishte më i vogël, hipte te karriget dhe ia bënte me dorë: Si nuk më shikon içik ky, o ma?!, më thoshte mua. Ata janë si shokë bashkë.

Albani i merr shpesh të dy bashkë, i nxjerr, bëjnë muhabete burrash, mbajnë sekrete ndaj meje. Por Fernando s’i mban dot sekretet. Fernando ka qenë 3 vjeç kur Albani është bërë pjesë e jetës sonë. Sot është 8 vjeç dhe i thonë 5 vite, pra, prezenca e Albanit ka ndikuar shumë në formimin e fëmijës”.

Ajo u rrëfye si rrallëherë edhe më në detaje për partnerin e saj, Albanin:

“Gjërat ndonjëherë janë të shkruara! S’e kishim menduar ndonjëherë. Vinim të dy nga marrëdhënie të mëparshme. As ai s’e mendonte që do njihte dhe do dashurohej dhe as unë s’e mendoja që do njihja dhe do dashurohesha. Çdo marrëdhënie ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ka ato ditët e bukura dhe ato peripecitë që kalon, por kur dashuria është e vërtetë dhe e fortë, çdo gjë kalohet edhe pastaj fillon merr një trajtë tjetër, kur ti kupton që nuk rri dot pa tjetrin dhe aty ti merr një vendim me veten dhe e kalon gjënë në një tjetër nivel pastaj. Albani është një djalë sentimental dhe besnik.

Është një natyrë që aty ku merr ngrohtësi dhe aty ku është mësuar, aty rri. Është njeri familjar, ka sedër shumë”, u shpreh këngëtarja. Çiljeta rrëfehet për lidhjen e saj, disa muaj pasi thyeu akullin në media vetë Albani.

Portieri i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, Alban Hoxha, foli për herë të parë për raportin intim që ka me këngëtaren Çiljeta Xhilaga, pak kohë më parë në ‘Wake Up’.

Pyetjeve se pse janë treguar të mbyllur karshi publikut në lidhje me jetën e tyre private dhe planet e së ardhmes në çift, Albani iu përgjigj: “Kjo është një zgjedhje që nuk duam ta bëjmë publike, janë gjëra personale. Kështu që nuk kemi çfarë ndajmë me publikun”.

Ndërsa tentativës së moderatorëve për të zbuluar më shumë detaje nga bashkëjetesa e tyre në një shtëpi, Albani iu përgjigj:

“Unë u zgjova i pari sot. Stërvitjen e kam herët në mëngjes, kështu që duhet të çohem herët, përveç asaj pjesës që nuk mund të ngrihesh në minutën e fundit dhe të shkosh në stërvitje”.

I pyetur nëse është mashkulli që i përgatit kafen e mëngjesit partneres, portieri tha: “Jo, jo, deri te kafja jo. Unë çohem pi kafen te lagjja, nuk bëj zhurmë kur çohem herët, që të mos e bezdis!”.

Burime pranë çiftit kanë treguar se ata po planifikojnë martesë dhe fëmijë, një plan që po e mbajnë sekret për shkak se janë supersticiozë.

SAKRIFICAT E ÇILJETËS PËR TË DASHURIN FUTBOLLIST, NGA PRANIA NË STADIUM TEK ASISTIMI NË GJYKATË

Kujtojmë që një vit më parë mediat publikuan fotot e saj në ambientet e Gjykatës, ku shkoi për të mbështetur Albanin, pas arrestimit për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Lidhja e tyre ka pasur uljengritjet e veta, për shkak edhe të ndonjë fotoje të Albanit në club, por që nga vetë këngëtarja ka qenë shumë zhurmë për asgjë.

Historia e Çiljeta Xhilagës me Alban Hoxhën nuk është një lidhje e zakonshme, duke qenë se ata kanë bashkëjetuar bashkë me fëmijët e tyre nga lidhjet e mëparshme, duke vendosur ta njohin njëri-tjetrin kështu.

Gjatë një interviste katër vite më parë, futbollisti Hoxha u ngacmua edhe për lidhjen e saponisur me Xhilagën.

Ishte viti 2016 kur çifti jo vetëm që komentonin hapur njëritjetrin në fotot që postonin në rrjetet sociale, por Çiljeta prej kohësh i ndiqte nga afër ndeshjet e Partizanit dhe bënte tifo për Albanin.

Por pavarësisht faktit se Çiljeta i bëri një deklaratë publike duke e komentuar “Dashuria ime”, kur moderatorët i përmendën Çiljetën, Albani nisi të qeshte duke anashkaluar pyetjen me përgjigjen:

“Më pëlqejnë shumë këngët e Çiljetës!”. I pyetur nëse Çiljeta do të ishte apo jo në tribunën e stadiumit “Elbasan Arena” për ta ndjekur në derbin Partizani-Tirana, Hoxha dha një përgjigje që nënkuptonte diçka më shumë, ndërsa u shpreh: “Sigurisht që do të jetë! Ajo ka qenë edhe në ndeshje me më pak vlerë; në një sfidë si kjo e derbit do të jetë patjetër. Ajo është tifozja ime më e zjarrtë!”.

Vetë Albani asnjëherë nuk ka folur hapur për lidhjen me Çiljetën, për faktin se nuk donte të komentohej për lidhjen më shumë sesa për futbollin, ndërkohë që ajo shpesh asiston në ndeshjet e tij duke e ndjekur nga stadiumi. Marrëdhënien e tyre u tha se e zyrtarizuan në vjeshtën e 2018-ës, pikërisht në momentin kur të gjithë mendonin se këngëtarja ishte në një lidhje të komplikuar me të dashurin e saj.

Këngëtarja tregoi për të gjithë unazën me gur të madh që mban në gisht, një dhuratë kjo që u tha se ishte e Albanit. Në “Instastory”, Xhilaga postoi foton e duarve të saj dhe Albanit të kapura bashkë, në momentin e zyrtarizimit pa bujë të lidhjes së tyre me fejesë.

E sigurisht që vëmendjen e tërhoi unaza shkëlqyese, gjë që tregonte se marrëdhëniet mes çiftit ishin bërë realisht serioze, pavarësisht faktit se as njëri dhe as tjetri nuk e kishin rrëfyer asgjë publikisht deri në atë moment.

Para një viti, Çiljeta zbuloi gjatë një interviste planet për martesë, ku nuk hezitoi ta shprehte hapur çfarë ëndërronte të realizonte në të ardhmen. Madje, ajo tregoi se dëshironte shumë një ceremoni martesore buzë detit me njeriun e zemrës.

Portieri i Partizanit e prezantoi Çiljetën si të dashurën e tij në festën e një prej ditëlindjeve të saj, një përvjetor ky që e kaloi mes miqve më të mirë. Dy të dashuruarit u kapën mat në një bar pranë zonës së Liqenit Artificial, ku Çiljeta banon këto vitet e fundit.

Gjatë kohës që qëndruan në këtë ambient publik, shkëmbenin puthje e ledhatime në kafe. Portieri i Partizanit dhe këngëtarja janë të dy prindër të vetëm të djemve të tyre.

Çiljeta mori kujdestarinë e djalit pas ndarjes nga partneri, ndërsa Albani po rrit vetë fëmijën, pasi bashkëshortja humbi jetën tragjikisht pas lindjes. Duket se ata tashmë ndihen familje e bashkuar dhe e vërtetë dhe ceremonia e martesës do të jetë thjesht një festë private mes familjarëve dhe miqve. Nga rrëfimi i Çiljetës duket se ka gjetur partnerin e duhur që e bën jo vetëm të lumtur, por dhe i jep siguri për ta shijuar gjithçka në privatësi të plotë.

Panorama.al