Çiljeta Xhilaga flet për dëshirat e fshehta: “Ëndërroj çdo ditë për një dasmë buzë detit”

Çiljeta Xhilaga ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për “Who” çfarë ka mbetur deri tani pa thënë në 20 vite karrierë. Bashkë me një set fotosh të reja nga Endrit Mërtiri ajo zbulon “25 gjërat që nuk i dini për të”, mes tyre dhe dëshirat e fshehta:

1. Kur isha e vogël, humbisja thuajse çdo ditë. Ngaqë isha shumë e lidhur me mamin e urreja kopështin. Nuk qëndroja aty dhe merrja rrugët të shkoja të kërkoja mamin nga Pazari i Ri deri tek ura e Kamzës në këmbë (qesh) vetëm 3 vjeç e gjysmë për të shkuar tek puna e saj.

2. Kam pasur një periudhë në jetë time kur flija më dritë ndezur. Ende nuk e kam gjetur përgjigjen e atij fiksimi, por tani e urrej dritën kur fle gjumë.

3. Kam qenë e fiksuar pas Hulio Eglesias, deri në adoleshencë dija përmendësh çdo këngë të tijën dhe e kisha dhomën e gjumit të mbushur me posterat e tij.

Ciljeta-2

4. Vdes të bëj surpriza dhe kam qenë ideatore e organizatore e thuajse të gjitha festave dhe propozimeve në shoqëri e fis.

5. Ushqimi im i preferuar janë jufkat e Dibrës. Vdes për sheqerpare dhe fasule (qesh), pra siç e kuptuat nuk jam vajza që ushqehet me haviar.

6. Kur isha shtatzënë dëgjoja gjithë kohën këngën e Rihannës, “Shine Bright Like A Diamond”. Edhe rrugës për në maternitet dëgjoja vetëm atë këngë, ngrija sytë nga qielli dhe e imagjinoja Fernandon si një yll. Gjithçka kisha ëndërruar u realizua tek Fernando, i cili lindi me shenjën e diamantit në këmbë.

7. Kam fjetur në makinë shumë herë, në periudhën kur nuk e dija çfarë bëhej me koncertet e mia, ngaqë kisha nga një, ka raste edhe dy çdo ditë. Më është dashur të udhëtoj në distanca të largëta duke qenë vetë në timon. Seriozisht nuk e di se si ia kam dalë.

8. Një nga të mirat e pakta të famës është se kur më ndalonin policët për ndonjë shkelje të vogël më linin të ikja.

9. Një herë më ka rënë telefoni nga makina në mes të autostradës dhe besojeni ose jo, kam ndaluar për ta marrë.

Ciljeta-4

10. Momenti më i vështirë i jetës sime, kur më është dashur të operoj Fernandon për shkak të një komplikimi.

11. Kam 5 tatuazhe në trup… Më i rëndësishmi është ai për diamantin tim, Fernandon.

12. Nuk jam shumë korrekte në orare, ka pasur raste kur kam mbërritur pak minuta përpara nisjes së koncertit apo programit, me grimin e bërë vetë në makinë. Tashmë të gjithë e dinë këtë dhe më japin orare me minimumi një orë avancë.

13. Vdes të qëndroj në shtëpi. Çdo gjë që më jep rehati dhe lirshmëri dhe më krijon hapësirën time, e dua shumë.

14. Ëndërroj çdo ditë për një dasmë buzë detit, diku larg ku të jem vetëm unë, ai dhe njerëzit tanë të dashur.

15. Jam shumë romantike, pëlqej shumë të ndez qirinj në të gjithë shtëpinë, të shtroj tryeza për dy, por jam edhe pak posesive në marrëdhënie.

16. Nuk kam nerva fare të shkoj në takime apo të bëj biseda të gjata në telefon, më duhet një menaxher. Sa më shpejt mundësisht!

Ciljeta-1

17. Dua të shkruaj një libër për jetën time.

18. Kam qenë nxënëse e dhjetës, derisa u bëra e famshme.

19. Kam gjithmonë ftohtë, në dimër mblidhem kruspull.

20. Kam qenë kuzhinierja më e keqe në planet derisa erdhi në jetë Fernando, për të cilin më është dashur të gatuaj gjëra që as nuk i kisha menduar.

21. Ka raste kur argëtohem me punët e shtëpisë, sidomos kur hekuros dhe jo, nuk po bëj shaka.

Ciljeta-3

22. Dikur ëndërroja të dilja nëpër revista dhe gazeta derisa arrita në një periudhë ku e urreja famën time. Kishte aq shumë thashetheme, aq shumë të pavërteta, sa nëse nuk do të kisha njerëzit e mi pranë do isha çmendur. Fatmirësisht sot media është më e përgjegjshme për ato që shkruan, por sërish ka abuzime.

23. Shumë thonë që kanë fansat më të mirë në botë, por unë i kam me të vërtetë.

24. Kënga e fundit në bashkëpunim me “Alar Band” ka një vit që është gati, dhe ka qenë faji im që ka vonuar kaq shumë.

25. Jam shumë e dhënë në një marrëdhënie, jap maksimumin në përkushtim dhe dashuri… Kur më kanë lexuar hartën astrologjike, më kanë thënë që e kam shumë të ngjashme me Elizabeth Taylor, e cila njësoj si unë luftonte shumë për gjërat e pamundura, derisa i arrinte ato dhe më pas hiqte dorë. Edhe pse nuk i besoj shumë yjeve (qesh).