Cili është sekreti i jetëgjatësisë së një martese?
Nga Claudio Rossi Marcelli.
Pyetje: Prindërit e mi janë gati të festojnë 50 vjetorin e martesës, ndërsa unë jam 33 vjeçe dhe nuk kam as të dashur. Mendoni se e tyrja ishte më shumë aftësi apo fat? –Virxhinia
Gjëja e parë që duhet të keni parasysh, është se prindërit tuaj i përkasin një brezi më tëhershëm nga ju. Ata kanë qenë nën një presion më të madh social për t’u martuar, për të pasur fëmijë dhe për të qëndruar së bashku. Po ashtu jetuan në vite në të cilat gratë ishin më pak të pavarura sesa sot, dhe kur stigma sociale ndaj divorcit ishte më e rëndë.
Ndërkohë, dua të theksoj se jetëgjatësia e një martese nuk është gjithmonë sinonim i përmbushjes personale. Mendoni për një moment:Kush është më i lumtur, një grua e ndarë apo një grua e martuar me një burrë me të cilin nuk dëshiron të jetë më, por nga i cili për lloj–lloj arsyesh, ajo nuk mund të ndahet?
Megjithatë, duke supozuar se prindërit tuaj kanë qenë vërtet në gjendje të ndaheshin dhe megjithatë martesa e tyre ishte e suksesshme, atëherë përgjigja është se ishte një përzierje e të dyjave. Pra e aftësisë së të dyve, që ndoshta unë do ta quaja inteligjencë emocionale.
Kjo është aftësia e tyre për të qenë bujarë, empatikë dhe të dashur ndaj njëri-tjetrit, edhe në momentet më të vështira. Dhe pastaj ishte fati që ata janë rritur në një mënyrë që i bën ata të përputhshëm pas gjithë kësaj kohe që ka kaluar.
Gjithsesi, elementët që përbëjnë një çift të lumtur dhe jetëgjatë janë të shumtë:çdo takim i dy personave është unik, ndaj unë nuk mendoj se është e dobishme të bësh krahasime apo gara mbi jetëgjatësinë e një martesë. Prandaj, gëzojuni përvjetorit të veçantë të martesës së prindërve tuaj, por mos lejoni që rrugëtimi i tyre të përcaktojë tuajin. / “Internazionale”