Cila është mosha kur “piqen” meshkujt?

E dimë, edhe ty mund të të kenë pyetur se në çfarë moshe “piqen” mendërisht meshkujt dhe mund të kesh dhënë një mendim tëndin personal. Mund të kesh njohur meshkuj shumë të rinj në moshë, por që kanë një pjekuri dhe maturi shumë herë më të madhe nga mosha që kanë. Njësoj mund të kesh njohur edhe meshkuj të mëdhenj në moshë, të cilët “nuk kanë mend në kokë” dhe janë shumë të ngjashëm me fëmijët në mendimet dhe veprimet e tyre. Këto janë shembuj që tregojnë se të gjithë kemi njohur njerëz nga më të ndryshmit dhe se pjekuria ndonjëherë nuk është aq e lidhur me moshën.

Por, sipas një studimi të ndjekur nga Nickelodeon, në kuadër të programit të ri “Wendell & Vinnie”, thuhet se meshkujt arrijnë “të piqen” rreth moshës 43 vjeçare, kurse femrat mesatarisht në moshën 32 vjeçare. Kjo është një diferencë tepër e madhe midis të dyja gjinive, plot 11 vite.

Në studim gjithashtu ka pasur një sërë femrash, afërsisht 8 në 10 femra, të cilat kanë pranuar se bashkëshortët e tyre, edhe pse të mëdhenj në moshë, sërish nuk janë të matur dhe përfaqësues të denjë të moshës që kanë në mendimet, fjalët dhe veprimet e tyre. E kundërta vjen si përgjigje nga vetë meshkujt. Ata pranojnë se janë tepër të zgjuar dhe të matur, edhe pse në studimin e bërë bazuar në reagimet e tyre përballë situatave të ndryshme, nuk e treguan të gjithë këtë maturi dhe zgjuarsi…