“Ciao po të lë”/ Rivalitet mes bashkëshortëve Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallaku

Çifti i bashkëshortëve, Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj, duket se kanë hyrë në rivalitet të fortë këtë verë me projektet e tyre në muzikë, kush e kush të marrë më shumë vëmendje dhe klikime.

Prindërit e një vajze, Ajkës, pasi festuan ditëlindjes e saj, kanë publikuar projektet e tyre të reja në muzikë, duke ftuar në duet partnerë të rinj, Xhensila me Ardian Bujupin dhe Besi me Anila Mimanin.

Bën përshtypje fakti që në “Instagramet” e tyre ata nuk e mbështesin njëri-tjetrin me postime, duke u mjaftuar vetëm me projektet personale. E pas bujës që bëri Xhensila me këngën me titull “Panorama”, vëmendja u kthye te Besi dhe këngëtarja e hiteeve të viteve 2000, Anila Mimani.

Me siguri, kur dëgjoni vargjet “Ti më dukesh i mërzitur, nuk je më si në fillim”, ju shkon mendja menjëherë tek Anila Mimani, një prej këngëtareve më të njohura të viteve 2000, e cila është rikthyer së fundmi në tregun muzikor shqiptar pas një shkëputjeje të gjatë.

Teksti është i shkëputur sigurisht nga kënga “Do digjesh zjarr”, një prej hiteve të asaj kohe, që tani është rikthyer për publikun shqiptar në një version të ri nga Bes Kallaku dhe vetë Anila.

Ky version i ri i publikuar sot mban emrin “Ciao po të lë” dhe në fakt, nuk ka ndryshuar shumë nga kënga origjinale, të paktën në muzikë e ritëm. Edhe pse duket më e përshtatur në atë që publiku shqiptar preferon këto ditë, si një lojë në çift.

Pjesa e Anilës është e njëjta, me vargjet e famshme që i dinë shumica e shqiptarëve. Ndërkohë Besi është djali, të cilit Mimani i drejtohet në këngë, pra ai që po lë. Besi, në stilin e tij personal me pak nota humori, i lutet që të mos largohet dhe i thotë që të presë, ndërkohë që bën edhe një lidhje me Londrën.

Kjo nuk është kënga e parë shqiptare e viteve 2000 që ripërpunohet, megjithatë është e para e Anilës, duke e rikthyer këtë të fundit si protagoniste në treg. Ndërkohë që Besi i shpalli konkurrencë Xhensilës, duke pretenduar hitin e verës 2020.

Nga ana tjetër, Xhensila Myrtezaj dhe partneri i saj për herë të dytë në muzikë, Ardian Bujupi, kanë tërhequr vëmendjen me klipin “Panorama” vetëm brenda pak orëve.

Dy vite më parë, Xhensila Myrtezaj dhe Ardian Bujupi publikuan projektin “Çika Çika”, që rezultoi sukses pasi numëron më shumë se 100 milionë klikime në “YouTube”. Dyshja i surprizoi sërish fansat, pasi pak ditë më parë publikuan një tjetër bashkëpunim.

“Panorama” po rezulton të jetë po aq i suksesshëm sa kënga e parë që ata sollën dy vite më parë. Në më pak se 24 orë, kënga arriti të regjistrojë më shumë se 1 milion klikime në “YouTube”, duke lënë kështu pas shumë artistë që kanë publikuar projektet e tyre më të fundit. Dyshja duket se po e shijon në maksimum suksesin e tyre.

Ishte Xhensila, e cila njoftoi në “Instagram” se kënga është kthyer në trend edhe përtej kufijve. Ky është hiti i dytë për këtë verë për Ardianin, pasi një muaj më parë ai solli “Modela”, ndërsa për Xhensilën kjo është kënga që e solli fuqishëm këtë sezon pas “Paris”, që u publikua 8 muaj më parë.

Ndërkohë, le të shohim nëse Bes Kallaku me Anila Mimanin në krah do ta lërë pas Xhensila Myrtezajn me Ardian Bujupin partner.

/Panoramaplus.al