Christina Perri humb vajzën në tremujorin e tretë të shtatëzanisë

Këngëtarja e hitit “Jar of hearts” ka humbur vajzën që priste të sillte në jetë, vetëm pak ditë pasi njoftoi se ajo mund të lindte para kohe. Përmes një postimi zemërthyes në rrjete sociale ajo ka njoftuar se vajza e saj “ka lindur e heshtur”.

Mbrëmjen e shkuar ne humbëm vogëlushen tonë. Ajo lindi e heshtur, pasi luftoi fort që të vinte në botën tonë. Ajo është në paqe tani dhe do të jetë gjithmonë në zemrat tona”, ka shkruar Christina.

Këngëtarja publikoi një foto duke mbajtur dorën e vogël të vajzës në gishta, sepse fëmija ishte plotësisht i formuar duke qenë se kishte hyrë ne tremujorin e tretë të shtatzënisë. Perri ka pasur disa komplikacione me shtatzëninë e saj dhe ka ndarë gjithçka nga ky rrugëtim me fansat e saj.

Javën e shkuar këngëtarja zbuloi se ka qenë e shtruar në spital dhe tregoi se mund ta lindte vajzën më herët nga ç’pritej.

“Gjërat nuk shkojnë asnjëherë ashtu siç i planifikojmë. Bebi ka probleme, kështu që unë do të jem këtu deri sa të vijë koha që ajo të lindë. Që me siguri do të vijë shumë shpejt dhe që realisht është shumë herët. Ju lutem dërgoni pak dashuri nga zemrat tuaja tek kjo zemër e vogël që rreh brenda meje, që të dyja ne ta kalojmë këtë”, shkroi këngëtarja ditën e djeshme në rrjete sociale.

Ndërkohë ajo është nënë e një vajze 2-vjeçare, Carmella dhe para pak kohësh përjetoi edhe një abort.