Chelsea i fiksuar pas Brojës/ Zbulohen detajet e transferimit te Fulham, kushtet mbi kontratë, numri dhe prapaskenat me Milan (FOTO)

Më në fund, pas shumë spekulimesh, pas shumë skenarësh, dhe mbi të gjitha pas shumë ofertave, Chelsea dorëzohet duke lënë të lirë Armando Brojën. Tashmë është zyrtare, ylli kuqezi largohet nga Chelsea, por jo nga Londra, transferohet te Fulham, një marrëveshje e cila u mbyll në ditën e fundit të merkatos. “Bomberi” shqiptar ndryshon skuadër, por jo për shumë kohë, pasi Chelsea vijon të besojë tek ai, kjo duket qartë edhe nga kontrata që Broja firmosi me Fulham, huazim deri në fund të këtij sezoni.

Një tjetër detaj mbi kontratë tregon qartë se ky transferim është kryer që Broja të këtë sa më shumë minuta në këmbë, të kap formën e tij optimale. Fulham është i detyruar të aktivizojë Brojën për më shumë se 10 ndeshje deri në përfundim të këtij sezoni, në këtë mënyrë nuk do t’i paguajnë asnjë qindarkë Chelsea-t.

Nëse Broja aktivizohet më pak se 10 ndeshje, atëherë Fulham t’i paguajë bluve 4 milionë paund. Është e qartë se si Chelsea ashtu edhe Broja kërkojnë minuta, kjo është arsyeja kryesore pse kjo marrëveshje u mbyll në minutat e fundit, dhe pse pikërisht Fulham. Në garë për Brojën ishin edhe West Ham dhe Wolves, por sipas mediave italiane edhe Milan shfaqi interesim.

Në Itali, por dhe Angli, shtojnë se Broja mund të jetë sërish një opsion për Milan, por vetëm në përfundim të këtij sezoni. Transferimi i Brojës te Fulham është një lajm i shkëlqyer edhe për Sylvinho-n, nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve, sipas kontratës, Broja do të shkojnë në “Euro2024” në kushte optimale.

Balkanweb