Champions/ Guardiola dhe Simeone përplasen pas 6 vitesh. Dy filozofi të kundërta, por që i bashkon i njëjti fat
Menjëherë pasi Di ego Simeone u ul në stolin e Atletikos së Madridit në vitin 2011, ai shkoi në Barcelonë për të parë se si funksiononte stili revolucionar i Pep Guardiolës në “Camp Nou”.
Që të dy u ulën dhe diskutuan detajet më të imta të kësaj loje, nga presingu lart, deri te se si sulmohen hapësirat e ngushta. Por ndërsa shumica e figurave të futbollit në atë kohë do ta përqafonin me të dyja duart një shans të tillë, argjentinasi zgjodhi një tjetër rrugë futbolli, e cila sot ka shumë pak nevojë për prezantim.
Mançester Siti-Atletiko e Madridit është mbi të gjitha sfida mes Pep Guardiolës dhe Diego Simeones ose dy filozofive të kundërta të lojës: “tikitaka” kundër “çolizmit”, loja e bukur kundër agresivitetit, sulmi kundër mbrojtjes.
Viti i gjashtë në stolin e “Qytetarëve” për katalanasin dhe i 11-ti me “Colchoneros” për argjentinasin. Dy skuadra me marka të ndryshme futbolli, por që i bashkon i njëjti fat: për të dyja, Liga e Kampioneve po shndërrohet në një fiksim.
Guardiola e kishte nisur shumë fort, duke fituar dy edicionet nga tri pjesëmarrjet e tij të para. Por prej 2011-ës frenoi. I shkoi pranë vitit të shkuar, por Tomas Tuhel, një tjetër trajner pragmatist si Simeone, e futi në kafaz.
Për Simeonen, kupa me veshë të mëdhenj është e mallkuar: dy disfata në finale, në mënyrën më të dhimbshme të mundshme, gjithnjë kundër rivalëve të Realit të Madridit. E fundit në 2016, pastaj një tjetër zhgënjim kundër Realit në çerekfinale.
Pep dhe Diego janë përballur me njëri-tjetrin deri më sot 3 herë: një herë në kampionat, me Barcelonën që fiton 1-2 në “Vicente Calderon” dhe një në Ligën e Kampioneve në 2016, në të cilën Simeone e eliminoi Pepin, që në atë kohë drejtonte stolin e Bajernit. 1-0 për spanjollët në Madrid dhe 2-1 për gjermanët në Mynih. Por atëherë goli në transfertë vlente. Vlente shumë!
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL