Champions/ Finalisti i parë zgjidhet në Etihad: City kërkon rekordet, PSG historinë

Me Stambollin në shënjestër, Manchester City përgatitet për ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Champions League me Paris Saint-Germain në Etihad. Një përmbysje domethënëse në pjesën e dytë nga të besuarit e Pep Guardiolas i ka dhënë atyre avantazhin e fitores 2-1 në Parc des Princes, ku avantazhi i Marquinhos u anulua nga gabimet e francezëve nën goditjet e Kevin De Bruyne dhe Riyad Mahrez. Të dy palët vijnë nga fitoret në fundjavë, me City që kaloi Crystal Palace 2-0 ndërsa PSG mbajti gjallë shpresat e tyre për titull me fitoren 2-1 ndaj Lens.

Pasi dëboi demonët e tre daljeve radhazi në çerekfinale, Guardiola i ka sytë tani drejt trofeut në spektaklin e Stadiumin Olimpik Ataturk më 29 maj, fatsjellës për anglezët nëse konsiderohet Mrekullia e famshme e Stambollit për Liverpool. “Dëshira për të arritur në finale është e madhe, nuk kemi qenë këtu kurrë më parë, ne duhet të qëndrojmë të përqendruar në veten tonë, të qëndrojmë të bashkuar në momente të vështira, të vuajmë së bashku. Duhet të përpiqemi sa më shumë që të jetë e mundur për të imponuar lojën tonë. Duhet të mbrojmë mirë, të jemi të durueshëm dhe të përpiqemi të shënojmë” tha Guardiola.

Goli me kokë i Marquinhos ishte vetëm katërti që skuadra e Guardiolas ka lejuar këtë edicion dhe barazimi pa gola me Porton në fazën e grupeve ishte rasti i vetëm që City dështoi të realizonte – duke fituar 10 në 11 takime. Kështu që përsëri, sulmi mund të jetë forma më e mirë e mbrojtjes për City, i cili ka shënuar të paktën dy gola në secilën nga gjashtë ndeshjet e tyre të fundit të Ligës së Kampionëve. “Paris Saint-Germain është një ekip i jashtëzakonshëm, të gjithë e dinë. Mund të kthejë rezultatin përmbys – shtoi katalanasi – Sigurisht që i kam parasysh cilësitë e tyre, por në të njëjtën kohë jam i vetëdijshëm se sa të mirë mund të jemi. Nesër duhet të zbresim në fushë me frymën e ndeshjes së parë. Nuk është e komplikuar “.

Skuadra e Guardiola duhet të presë edhe 90 minuta të tjera për të rezervuar vendin në finale, por në 47 rastet e mëparshme që klubet angleze kanë fituar ndeshjen e parë europiane jashtë shtëpisë, ata janë kualifikuar po 47 herë. Rekordet janë bërë për ty thyer e City insiston për këtë. Një fitore e shtatë radhazi në Ligën e Kampionëve për City do të shënonte serinë më të gjatë fituese europiane të arritur nga një skuadër angleze. “Nuk mund të luash 90 minuta siç kemi luajtur ne në pjesën e dytë. Kjo nuk do të ndodhë, do të jetë e vështirë, ne do të vuajmë. Jam i sigurt që do të reagojmë mirë dhe do të imponojmë lojën tonë. Vjen nga brenda, vizualizon atë që duhet të bëjmë. Nuk është ndryshe nga ajo që kemi bërë në tetë muajt e fundit, nuk kërkojmë ndonjë gjë të veçantë. Është vërtet e vështirë, Premier League është në të njëjtin nivel me PSG, madje edhe në Champions League gjithmonë luan ndeshje të komplikuara”.

Pochettino në anën tjetër duhet të frymëzojë një PSG të plagosur për të bërë goditjen në Etihad, për ti dhënë fund pritjes agonistike të parisienëve për një kurorë Evropiane. Natyrisht ka ende mundësi që PSG të përsërisë arritjen me Tuchel për një vend në finale, në kohën kur vazhdojnë të luftojnë në tre fronte. Neymar dhe Marquinhos ishin të dy në listën e shënuesve në fitoren 2-1 ndaj Lens dhe PSG shpreson shumë pikërisht tek liderët e dhomave të zhveshjes për të përmbysur pritshmëritë. Sidoqoftë, PSG përgatitet për ndeshjen e kthimit me bindjen se kanë fituar 10 ndeshjet e tyre të fundit jashtë në të gjitha kompeticionet – një vrapim që përfshin netët e tyre historike në Camp Nou dhe Allianz Arena. “Nëse luajmë siç bëmë në pjesën e parë, ne mund t’i mposhtim. Padyshim që do të duhet ta bëjmë për 90 minuta dhe nuk do të jetë e lehtë. Por jemi në gjendje ta bëjmë. Nuk do të kemi asgjë për të humbur, kështu që do ta luajmë” sfidoi mbrojtësi i PSG Florenzi.

Forca ofensive e Pochettinos duhet të gjejnë shpejt shënjestrën e humbur për të patur një shans për kualifikimin, pasi Kylian Mbappe, i cili pritet të jetë gati për sfidën, nuk mundi të bënte asnjë goditje gjatë ndeshjes së parë – një dëshmi e punës së palodhshme e mbrojtësve të Guardiolas në rrugën drejt asaj që të dy palët shpresojnë se do të jetë një kurorë e parë e Ligës së Kampionëve: “Këto lloj ndeshjesh, për mendimin tim, sa më pak që t’i përgatisësh mendërisht, aq më mirë është. Nëse fillon ti mendosh 3-4 ditë më parë, mbërrin në fushë i rraskapitur. Ka ndeshje që përgatiten vetë, siç thuhet, e kjo është një nga ato. Ne do të shkojmë atje me shumë zemër, shumë krenari dhe një dëshirë të madhe për të bërë mirë. Të përpiqemi të bëjmë historinë”.