Çfarë simbolizon veshja e Vjosa Osmanit në inaugurimin e saj si presidente?
Me një ceremoni solemne në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, Vjosa Osmani sot pranoi zyrtarisht detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Shefja e shtetit më të ri në Evropë, zgjodhi një fustan me ngjyrë vjollcë mbi të cilën pati edhe një pelerinë – të krijuar nga dizajneri i njohur shqiptar, Valdrin Sahiti.
Por pse pikërisht ky model dhe çfarë kuptimi ka ngjyra vjollcë?
Në një prononcim ekskluziv për klankosova.tv, Valdrin Sahiti tregoi se pse zgjodhi ta krijonte këtë veshje në një ditë kaq të rëndësishme për Vjosa Osmanin dhe popullin e Kosovës.
Dizajneri tregoi se ngjyra vjollcë, përveç që njihet si ngjyrë mbretërore, asocon me fuqi dhe ambicie duke shtuar se pelerina mbi krahët e të parës së shtetit, jep bindjen e një heroine.
“Modeli i zgjedhur për Inaugurimin e Presidentes ka qenë zgjedhje e imja e cila transmeton në bazë ngjyrës dhe formës, mesazhe në opinion. Ngjyra vjollcë përveç që njihet si ngjyrë mbretërore asocon me fuqi dhe ambicie ndërsa sa i përket modelit dhe vendosjes së pelerinës, përveç që estetikisht e kam parë të pranueshme dhe të pëlqyeshme kam menduar që në rastin e sotëm i jep më shumë pompozitet ngjarjes dhe ilistruativisht jep bindjen e një heroine (jo vetëm heronjtë veshin pelerina) mirëpo në rastin e Vjosës, edhe mund ta quajmë”.