Çfarë ndodhi/ Mbi 16 mijë vdekje më shumë se normalja që kur nisi pandemia
Ndonëse me ritme më të ulëta se në dy vitet e mëparshme, pandemia e Covid-19 ka vijuar që të marrë jetë njerëzish edhe në tremujorin e parë të këtij viti.
INSTAT bëri të ditur se në janar-mars 2022, në vend u shënuan gjithsej 7,938 vdekje. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia kulmoi dhe u regjistrua niveli më i lartë rekord i vdekjeve në historinë e Shqipërisë, numri është 22.3% më i ulët.
Por, në raport me mesataren 2016-2019 të janar-mars, kur vendi ishte në periudhë normale, fatalitetet janë rritur me 25.3%, në një tregues që pandemia vijon të vrasë, por edhe të pasojave që ka lënë te popullata që e ka kaluar Covid-19, duke përshpejtuar rastet fatale. (shih grafikun: Vdekjet, Tremujori i parë, 2011-2022).
Që nga prilli i vitit 2020, kur filloi pandemia, në vend janë shënuar 16.2 mijë vdekje shtesë, në raport me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor. (shih grafikun: Rreth 16.2 mijë humbje jete shtesë që nga fillimi i pandemisë/ Shtesa e vdekjeve sipas tremujorëve, në raport me mesataren përkatëse 2016-2019)
Në krahasim me vdekjet zyrtare të raportuara nga COvid-19 nga Ministria e Shëndetësisë deri në 31 mars 2022, që ishin 3,492 gjithsej, fatalitetet shtesë janë 4.7 më të larta. Nëndeklarimi në Shqipëri është më i lartë se mesatarja globale, ku sipas OBSH-së vdekjet në botë janë gati 3 herë më të larta se deklarimet.
14.6 mijë fatalitete shtesë u regjistruan vetëm për periudhën 2020-2021, sipas të dhënave të INSTAT dhe 1,603 humbje jete shtesë ishin në tremujorin e parë të këtij viti.
Për gjithë vitin 2021, në vend u shënuan gjithsej rreth 30.6 mijë (30,580) humbje jete, duke shënuar nivelin më të lartë rekord të arritur ndonjëherë në historinë e vendit. Ky është viti i dytë radhazi, kur fatalitetet në vend po rezultojnë të larta. Në vitin e parë të pandemisë, në 2020-n u regjistruan në total 27.6 mijë fatalitete, nga 21.8 mijë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2019.
Në krahasim me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, vdekjet në vitin 2021 janë rritur me 40%. Edhe në 2020-n, vdekshmëria shtesë në raport me mesataren 2016-2019 u rrit me rreth 26%.
Tremujori më fatal, që me fillimin e pandemisë ishte janar-mars 2021, kur u regjistruan 10.2 mijë humbje jete, me rritje prej 61% në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019.
Pas tij renditet tremujori i katërt 2020, me gati 9.4 mijë fatalitete, me rritje 42% në raport me mesataren përkatëse 2016-2019. (shiko grafikun: Vdekjet sipas tremujorëve në pandemi 2020-2021, krahasuar me mesataren 2016-2019)
Pas marsit 2021, pasojat e pandemisë në humbjet e jetëve u reduktuan ndjeshëm, por gjithsesi deri në fund të vitit ato mbeten më të larta sesa përpara fillimit të pandemisë. /Burimi Monitor