Çfarë mund të bëjmë për të mos u sulmuar nga një kriminel në rrugë?

Sikurse ndodh pak a ashtu në botën e kafshëve, agresorët e mundshëm e zgjedhin instinktivisht “prenë” e tyre, duke e perceptuar cenueshmërinë e saj përmes sjelljeve të veçanta të viktimës, siç është mënyra se si ecin ose qëndrimi i tyre. Një eksperiment i famshëm i kryer në Nju Jork në vitin 1981 nga sociologët Beti Grejzën dhe Morris Shteinpërcaktoi standardin në lidhje me këtë çështje.

Studiuesit vendosën një telekamera në një trotuar shumë të frekuentuar në qytet, duke filmuar kalimtarët për 3 ditë me radhë (midis orës 10 të paradites dhe mesditës), dhe më pas ua treguan pamjet një grupi të burgosurish për krime të dhunshme, përfshirë vrasjen, përdhunimin dhe grabitjet me armë. Ja çfarë thanë kriminelët e intervistuar.

Rëndësia e madhe që ka gjuha e trupit

Të burgosurit i vlerësuan kalimtarët me nota nga 1 deri në 10, bazuar tek niveli i vështirësisë së çdo lloj prite ndaj tyre. Për habinë e madhe të studiuesve, për të identifikuar “shënjestrat” të burgosurve iu deshën vetëm disa sekonda (mesatarisht 7 sekonda), gjatë të cilave elementë si gjinia, grupi etnik apo mosha e kalimtarëve nuk ishin shumë vendimtarë.

Ndikimin kryesor e kishte gjuha e trupit:gjatësia dhe shpejtësia e hapit, koordinimi i gjymtyrëve dhe sinjale të tjera jo verbale, të klasifikuara nga studiuesit si “jashtë normës” ose “të pazakonta”. Pra shmangia e tyre, është rregulli i parë për të shmangur rënien pre e një krimineli.

Ecja me hapa të sigurt

Në studim, njerëzit e klasifikuar nga të dënuarit si më pak të cenueshëm ecnin me lehtësi, duke hedhur hapa energjikë që ishin në një përpjesëtim të duhur me gjatësinë e tyre. Në të kundërt, hapat shumë të mëdhenj ose shumë të vegjël tërhiqnin vëmendjen e agresorëve. Prandaj këshillohet që të ecni me të njëjtën shpejtësi ose maksimumi pak më shpejt sesa këmbësorët e tjerë. Në fakt, një ecje tepër e shpejtë mund të tregojë nervozizëm.

Ecje me trupin drejtë dhe e sinkronizuar

Gjatë ecjes, duhet të shmangim përkuljen duke e çekuilibruar peshën e trupit djathtas ose majtas. Pra duhet të kemi një ecje të sigurt me shtatin drejt, duke e sinkronizuar lëvizjen e gjymtyrëve, dhe duke mos i përthyer këmbët. Në të kundër, ecja e çekuilibruar mund të sinjalizojnë marramendje apo ndonjë problem fizik, të cilën agresorët mund ta zbulojnë lehtësisht.

Shpatullat dhe shpina duhet mbajtur drejt

Mënyra e qëndrimit është shumë thelbësore. Mjekra lart, shpina drejt dhe shpatullat mbrapa komunikojnë siguri, ndërsa mbajtja e kokës ulur dhe ecja me shpinën përkulur janë shenja të këqija. Më pas duhet të shikoni përreth natyrshëm në mënyrë që ta dominoni mjedisin përreth, dhe të vini re paraprakisht njerëz të dyshimtë. Paradoksalisht, edhe shikimi i agresorit të mundshëm në fytyrë mund të na mbrojë, duke e “demaskuar” efektin e befasisë që ai planifikonte kundër nesh.

Asnjë shpërqendrim

Zakonisht kriminelët zgjedhin të sulmojnë viktima të rastësishme, duke krijuar prita në vende ku nuk mund të dështojnë, duke e shmangur kësisoj zbulimin. Për këtë arsye, një këshillë e fundit e dobishme nga ekspertët për ata që dëgjojnë muzikë me kufje, është të rregullojnë volumin e kufjeve, në mënyrë që të jenë në gjendje të dëgjojnë tingujt përreth tyre, duke shmangur humbjen e kontaktit me realitetin, dhe duke qëndruar gati për të parashikuar lëvizjet e një agresori të mundshëm.