Çfarë është, saktësisht, një drag queen?

Kur Edon Shileku u prezantua në “Big Brother VIP Kosova” si Victoria Owns (drag queen) jo pak njerëz ishin konfuzë. Referuar komenteve online, disa e ngatërruan me një transgjinor e të tjerë pyetën “si ishte e mundur që kishte një të dashur?”.

Çfarë është një drag queen?

Një drag queen është një person, zakonisht mashkull, i cili përdor veshjet dhe grimin për të imituar dhe shpeshherë ekzagjeron tiparet e gjinisë femërore për qëllime argëtimi. Kujtoni këtu Veziren (aktori Alex Seitaj), një personazh tashmë ikonë në Shqipëri si drag queen-i i parë shqiptar.

Cila është origjina e termit?

Ekzistojnë teori të ndryshme rreth origjinës së termit “drag queen”. Termi ekzistonte në fillim të shekullit XX në Polari, një lloj zhargoni britanik. Disa historianë besojnë se shprehja ka lindur rreth viteve 1,800 në lidhje me fundet e gjera të veshura nga burrat e veshur si gra, të cilat “tërhiqeshin zvarrë” në tokë (në anglisht – dragged). Të tjerë thonë se ishte një shkurtim për “Dressed Resembling A Girl”. Sot, nuk ka konsensus për asnjërën nga këto teori.

A është gjithmonjë një drag queen burrë?

Historikisht, shumica e drag queens kanë qenë burra të veshur si gra. Gratë që vishen si burra, quhen drag king – një interpretuese femër që vesh një gardërobë mashkullore dhe përfshin stereotipet gjinore mashkullore si pjesë të performancës.

A është një drag queen gay?

Në kohët moderne, drag queens lidhen më së shumti me meshkujt gay dhe kulturën e homoseksualëve, por mund të jenë të çdo gjinie, identiteti dhe orientimi seksual. Edoni, kur u prezantua në “Big Brother VIP Kosova”, u shpreh se është në një marrëdhënie me një vajzë.

A janë drag queens transgjinorë?

Jo, domosdoshmërisht. Drag queen i referohet aktit të veshjes në një mënyrë të ekzagjeruar. Një grua transgjinore identifikohet me një gjini që nuk përputhet me seksin e saj në lindje. Këto janë dy gjëra të ndryshme.

Disa drag queens përfundimisht vendosin të jetojnë si gra, por sërish performojnë si drag queen. Të tjerë persona nuk identifikohen me asnjë gjini.

Çfarë është një drag show?

Drag show shpesh përfshin interpretime si sinkronizim të buzëve (lip-sync), këndim live, komedi, vallëzim etj. Disa drag queen janë aktorë që shfaqen në produksione teatrale si personazhe femra ose drag queen.

Pse dikush performon si drag queen?

Varet. Për të shprehur veten në një tjetër formë artistike; për shfaqje teatrale; për argëtim; për burim të ardhuash etj. Në një intervistë në një podkast, Edoni është shprehur:

“Victoria në fakt është një lloj mllefi prej fëmijërisë. Kam qenë i trashë e feminin dhe konstant në shkollë më kanë gjyku. Krejt fëmijërinë time e mbaj mend tu kajtë dhe kur kam bo për herë të parë ‘drag’, e kam pa që krejt mllefin po muj me qitë. Dragu më ndihmon me jetu si Edon. Çkado që mblidhet në mua si person, komplet shfryhna si drag. Kështu që është njëfarë terapie, si me shku te psikologu [sic].”

Anabelmagazine