Celulari do iu tregojë nëse keni takuar dikë të infektuar me koronavirus
Kompania Apple dhe Google po krijojnë një aplikacion për telefonat, Iphone dhe Android, i cili do t’i thotë njerëzve nëse ata kanë qenë në kontakt me dikë të infektuar me koronavirus.
Ky aplikacion do të mundësonte që telefonat inteligjentë të regjistronin vazhdimisht pajisjet e tjera që i afrohen, duke bërë të mundur “gjurmimin e kontaktit” të sëmundjes.
Përmes këtij aplikacion, personat e infektuar do të lajmërojnë autoritetet e shëndetit publik se ata kanë koronavirus, dhe më pas ky aplikacion do të lajmërojë telefonat që kanë që afër me telefonin e personit të infektuar.
Por, kjo nismë e dy kompanive më të mëdha të teknologjisë ngre pyetje për nivelin e kontrollit të jetës së individëve, në veçanti ndaj Google, i cili është akuzuar për mbledhje të dhënash personale dhe më pas përdorimin e tyre për reklama online.
Por të dyja kompanitë thanë se ky aplikacion mbron privatësinë e përdoruesve të telefonave dhe njerëzit mund të zgjedhin me dëshirë ta shkarkojnë ose jo.
Në muajt e ardhshëm ata do të vënë në dispozicion një platformë “gjurmimi të kontaktit” bazuar në teknologjinë “Bluetooth”, duke i dhënë “rëndësi maksimale intimitetit, transparencës dhe pëlqimit të përdoruesve”.
“Ne jemi të bindur se kurrë nuk ka qenë aq e domosdoshme sa tani për të punuar së bashku në përpjekjen për të zgjidhur një problem urgjent global. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me zhvilluesit, qeveritë dhe organizatat e shëndetit publik, shpresojmë se teknologjia mund të ndihmojë vendet në mbarë botën të ngadalësojnë përhapjen e Covid-19 dhe të përshpejtojnë kthimin në përditshmërinë tonë“, shpjegon “Google” dhe “Apple” në një njoftim të përbashkët për shtyp.