Carlo Pedersoli alias Bud Spencer: Jeta dhe pasionet e gjigantit të mirë të kinemasë italiane
Nga Roberta Zuccarello
“Nuk ka njeri më të keq, sesa ai që vendos të bëhet i keq, pasi ka qenë për shume kohë i mirë!”. Me këtë frazë e përshkroi veten Bud Spencer në filmin e vitit 1981 “Kush gjen një mik, gjen një thesar”. Në ekran ai ishte gjiganti me pamje të vrazhdë, por gjithmonë i sjellshëm, i rreshtuar në mesin e njerëzve të mirë.
Por kush ishte Bud Spencer larg ekranit? Carlo Pedersoli lindi në Napoli më 31 tetor të vitit 1929. E ëma Rosa Facchetti ishte nga Kiari, ndërsa Alessandro Pedersoli ishte një napolitan me origjinë nga Breshia. Që në moshë të vogël ai u apasionua pas sportit, dhe veçanërisht notit, me të cilin pati shumë sukses.
Por ai nuk u ndal vetëm tek noti, pasi u mor edhe me boks dhe regbi në nivel amatore. Në vitin 1940, për shkak të punës së babait të tij, familja Pedersoli u shpërngul në Romë, ku Carlo ndoqi shkollën e mesme dhe u regjistrua në fakultetin e kimisë në universitetin “La Sapienza”.
Nuk përfundoi dot studimet pasi familja u shpërngul sërish në vitin 1947 në Amerikën e Jugut. Pedersoli u rikthye në Itali në fundin e viteve 1940, kryesisht për shkak tëanëtarësimit në ekipin SS Lazio Nuoto.
Kështu filloi edhe karriera e tij e shkëlqyer sportive. Ai mori rregullisht pjesë në kampionatet italiane, dhe ishte italiani i parë që vendosi rekordin e 100 metrave në më pak se 1 minutë.
E përfaqësoi Italinë në disa aktivitete ndërkombëtare, përfshirë Lojërat Mesdhetare të vitit 1951.
Carlo rifilloi studimet por i mërzitur nga kimia u diplomua për drejtësi. Në vitin 1952, përfaqësoi Italinë në Olimpiadën e Helsinkit në kategorinë100 metra stil i lirë, duke përfunduar i nënti. Tre vjet më vonë, mori pjesë në Olimpiadën e Barcelonë së bashku me ekipin kombëtar të vaterpolit, duke fituar më në fund medaljen e artë. Në vitin 1956 mori pjesë në Olimpiadën e Melburnit, por këtë herë nuk arriti të kualifikohej në finale.
Por aftësitë e tij sportive nuk kaluan pa u vënë re. Universiteti i Jeilit e ftoi të kalonte disa muaj në Shtetet e Bashkuara për t’u stërvitur, së bashku me atletë të tjerë të rinj premtues. Por aftësitë e tij fizike nuk kaluan pa u vënë re edhe nga producentët e filmit. Ai mori pjesë, në role dytësore, në produksione kryesisht italiane si “Quel fantasma di mio uomo” dhe prodhime të Hollivudit si “Quo Vadis”.
Por pas Olimpiadës së Melburnit, ai u transferua sërish në Amerikën e Jugut, me të cilën mbeti gjithmonë shumë i lidhur, duke punuar për kompaninë“Pan-American”, në seksionin midis Venezuelës dhe Kolumbisë. Po ashtu punoi për degën e “Alfa Romeo”në Karakas të Venezuelës, ndërsa luajti edhe me ekipin kombëtar të vaterpolit këtij vendi.
Në vitin 1960 u rikthye në Itali, ku u martua me Maria Amato, të cilën e njihte prej 15 vjetësh dhe mori pjesë në Lojërat Olimpike të Romës. Gruaja e tij ishte vajza e Giuseppe Amato, një producent filmash. Carlo nënshkroi një kontratë me kompaninë diskografike RCA. Kur në vitin 1964 vdiq vjehrri i tij, Pedersoli u bë një producent dokumentarësh për RAI-n.
Në vitin 1967, regjisori Giuseppe Colizzi vendosi ta përfshijë atë në një nga filmat e tij, por mes të dyve pati menjëherë një përplasje. Arsyeja e parë e mosmarrëveshjes ishte shpërblimi:regjisori i ofroi 1 milionë lireta për rolin, ndërsa Carlo kërkoi 2.
Për më tepër, regjisori i kërkoi të rriste mjekrën dhe të mësonte të shalonte kuajt, kushte që Carlo i refuzoi. Në këto kushte, xhirimet e filmit mbetën pezull. Por edhe pas disa kohësh, regjisori nuk gjeti dot askënd tjetër me të njëjtat karakteristika fizike, ndaj u detyrua të pranojë kushtet e Pedersolit.
Filmi titullohej “Zoti fal … Unë jo!”, dhe ndër personazhet dytësore ishte një aktor që tashmë kishte marrë pjesë në shumë filma, por ishte i panjohur për publikun e gjerë. Emri i tij ishte Mario Girotti. Dy aktorët u shfaqën së bashku në poster, por duke qenë një film i zhanrit uestern, Pedersoli dhe Girotti ishin shumë emra italianë, pra jo shumë tërheqës për tregun ndërkombëtar.
Prandaj ata duhej të zgjidhnin disa emra artistikë. Carlo vendosi të nderonte njërin prej aktorëve të tij të preferuar, duke përdorur emrin Spencer. Bëhej fjalë për Spencer Tracy, ndërsa emrin Bud, si një shkurtesë të markes së njohur të birrës Budweiser, që në Itali tregtohet me emrin Bud.
Për me tepër emri Bud, në anglisht i referohej me shaka edhe madhësisë së tij fizike. Nga ana tjetër Mario zgjodhi emrin e artit Terence Hill. Të dy xhiruan së bashku 18 filma, përveç roleve individuale. Në vitin 1970, me regji të E.B.Clucher (pseudonim i Enzo Carbonit), ishte filmi uestern “E quajtën Trinitet”, ai që u dha atyre një sukses të menjëhershëm.
Nga ai moment historia e çiftit u shndërrua në një legjendë. Filmat si “… Përndryshe inatosemi”, “…Djem më të fortë”, “Kush gjen një mik, gjen një thesar”, “Nuk ka dy pa katër”, “Të lindur me këmishë” janë kthyer në një kult të vërtetë.
Por Bud ndjeu nevojën të shfaqte deri në fund aftësitë e tij krijuese. Kështu ai shkroi këngënpër filmin e tij të vitit 1977 “Ata e quajtën buldozer” së bashku me vëllezërit Guido dhe Maurizio de Angelis, të njohur më mirë me pseudonimin e Oliver Onions.
Në vitin 1979, fitoi çmimin “Jupiter” si aktori më i njohur në Gjermaninë Perëndimore. Ai ishte aq popullor atje sa që gjermanët krijuan foljen “sich budspenceren”.Nga fundi i viteve 1980, Pedersoli punoi më shumë në televizion.
Në vitin 1994 mori pjesë në filmin e fundit me Terence Hill “Zënkat e Krishtlindjeve” me regjinë e vetë Terence Hill, por që rezultoi një dështim. Bud Spenser u tërhoq nga skena në të vitit 2000. Në dallim nga yjet e tjerë të kinemasë, jeta e tij private nuk bëri asnjëherë sensacion.
Përveç 2 fëmijëve më të mëdhenj, në vitin 1972 lindi vajza e tretë, Diamante, e cila ndoqi hapat e të atit si aktore. Por Carlo nuk ishte vetëm një aktor. Në vitin 1975 ai mori licencën si pilot helikopteri për Shtetet e Bashkuara, Zvicrën dhe Italinë, si dhe për aeroplanë, automjete që i drejtonte edhe në filma, dhe të cilat i drejtoi deri kur ndërroi jetë.
Ai ishte gjithashtu një sipërmarrës. Në vitin 1976 themeloi një linjë të prodhimit të xhinseve, ndërsa në vitin 1981 themeloi së bashku me disa të tjerë kompaninë ajrore “Mistral Air”, e cila u ble më pas nga Posta Italiane. Gjatë viteve 2000 botoi disa autobiografi, në të cilat tregoi pasionin e tij për ushqimin dhe filozofinë.
Veç italishtes dhe anglishtes ai fliste rrjedhshëm edhe spanjisht, portugalisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Ai ishte gjithmonë i interesuar për politikën dhe mbështeti aktivisht të djathtën italiane. Vdiq më 27 qershor të vitit 2016, për shkak të komplikimeve pas një aksidenti nështëpinë e tij.
Në Budapest, u ngrit statuja e parë e Bud Spencer në botë, me frazën e përkthyer në hungarisht “Ne nuk u grindëm asnjëherë!”, frazë e shqiptuar nga Terence Hill gjatë funeralit. Në Hungari, Bud Spencer është një ikonë e vërtetë, një simbol i lirisë gjatë periudhës së diktaturës komuniste, kur filmat amerikanë ishin zyrtarisht të ndaluar. / “Vanilla Magazine” – Bota.al