Capital T s’dorëzohet: 2020-ta m’i prishi të gjitha planet, por unë do ta shkatërroj

Me anë të një fotoje të publikuar në llogarinë e tij, këngëtari i njohur i skenës shqiptare, Capital T, ka treguar se si i ka rezultuar viti 2020 dhe se çfarë ka ndërmend të bëjë me të.

“A u prishën planet tuaja këtë vit? Të miat gjithashtu, por gjejeni çfarë. Bëra disa të tjera akoma dhe më të mira dhe do ta shkatërroj këtë vit të shkatërruar tashmë”, ka shkruar artisti krah postimit të fundit në rrjetet sociale.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Capital ka bërë të ditur se brenda këtij muaji do të sjellë albumin e tij muzikor të titulluar “Skulpturë”, për të cilin ka punuar për një kohë të gjatë. Ai ka pohuar gjithashtu, se në të ardhmen do të realizojë një tjetër koncert si “Time Capsule”, të mbajtur më 20 shtator të vitit 2019 në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Ky paralajmërim i tij vjen vetëm pak kohë pasi publikoi këngën e tij më të re “Flawless”, e cila u prit mirë nga fansat. Kushtrim Ademi, i njohur për publikun si Capital T, ka lindur në vitin 1991 në Prishtinë. Dashurinë dhe talentin për muzikën e ka të trashëguar nga daja i tij, reperi Besnik Canolli, i njohur për publikun si 2Po2. Capital T e nisi karrierën në moshën 16-vjeçare, ku publikoi disa këngë duke fituar menjëherë zemrat e fansave.

Reperi i njohur e zbërthen emrin e tij artistik në Capital (që lidhet me kapitalin, pasurinë) dhe T (shkronja e parë e emrit të tij, Trim). Ai ka marrë pjesë në Kënga Magjike 2010, bashkëpunim me Eni Koçin) e disa pjesëmarrje të suksesshme në Videofest. Në vitin 2016, në festivalin “Top Awards” ai u vlerësua me çmimin “Best Video”, për klipin “Hitman”.

Albumet e tij “U bë vonë” (2010), “Kapo” (2012) kanë lënë gjurmë, ndërkohë që ndër këngët më të suksesshme janë: “Supersweet”, “U bë vonë”, “Ma e mira”, “Një ëndërr”, bashkëpunim me Alban Skënderajn, “Karma”, “Posh” në bashkëpunim me 2Po2 etj.

/Panoramaplus.al