Burri ndërron jetë pas vdekjes së gruas: Çfarë është sindroma e zemrës së thyer
Joe Garcia, burri i Irma Garcia-s, një prej dy mësueseve që humbi jetën në sulmin me armë në Teksas, ndërroi jetë në shtëpi nga një atak në zemër. Anëtarët e familjes thonë se mund të jetë një rast i sindromës së zemrës së thyer.
“Unë me të vërtetë besoj se Joe vdiq nga thyerja e zemrës dhe humbja e dashurisë së jetës prej më shumë se 25 vitesh ishte e tepërt për t’u duruar,” shkroi kushërira e Irma Garcia, Debra Austin në një postim në faqen e familjes në GoFundMe.
Sindroma e zemrës së thyer, e njohur edhe si kardiomiopati e shkaktuar nga stresi ose kardiomiopati takotsubo, është një sindromë serioze, që nëse nuk kapet në kohë, ka pasoja fatale për jetën. Kjo sindromë nuk ka gjithmonë pasoja fatale, por mund t’i ndodhë kujtdo. Ja nga dallon nga dhimbja emocionale pas një përvoje traumatike.
Sindroma e zemrës së thyer lidhet me mosfuksionimin e muskujve të zemrës pas një ndodhie stresuese, traumatike. Gjithçka nis me dhimbje të forta dhe të papritura në kraharor kur shtimi i hormoneve të stresit ndërhyn në pompimin e gjakut në një pjesë të zemrës.
Hormonet e stresit shtohen gjatë ndodhive traumatike si vdekja e një njeriu të dashur, një ndarje, lëndime fizike, apo edhe gjatë ndodhive pozitive si fitimi i lotarisë apo një festë surprizë. Individët me sindromën e zemrës së thyer fillojnë të vënë re simptomat pak minuta deri në pak orë pas ndodhisë stresuese.
Shpeshherë, sindroma e zemrës së thyer keqdiagnostikohet si atak kardiak, ngaqë simptomat janë të ngjashme.
Përveç dhimbjes në kraharor dhe problemeve me frymëmarrjen, pacientët me sindromën e zemrës së thyer përjetojnë edhe ndryshime në ritmin e zemrës të përngjashme me ato të atakut kardiak. Por, kur iu nënshtrohen një analize që përcakton cilat janë arteriet e bllokuara në rastin e një ataku kardiak, nuk iu gjendet asnjë enë gjaku e bllokuar. Përkundrazi, atyre s’u punon si duhet një pjesë e konsiderueshme e zemrës.
Shumica e njerëzve shërohen vetiu brenda pak javësh, por nëse keni probleme me zemrën, tension të ulët gjaku, anormalitete me ritmin e zemrës, bëni mirë të flisni me mjekun.
Burimet ndihmëse: WebMD, Healthline
Anabelmagazine