Burri fiton betejën me tumorin, Mihrije Braha: Para Naimit isha një femër e fortë
E ftuar në “ E Ardhmja Është Vajzë” me moderatoren Ermira Çaushollin, këngëtarja Mihrije Braha foli për vështirësitë me të cilat është përballur në jetë.
Këngëtarja tha se sukseset e arritura në jetë ia dedikon familjes, përkrahjes së bashkëshortit, ndërsa u shpreh se e konsideron veten si një grua me fat.
“Fillimisht suksesin ia dedikoj dy prindërve të mi dhe motrave vëllezërve që më kanë përkrahur. Suksesi tjetër ka qenë falë përkrahjes së Naimit. E llogaris veten si femër me fat që çdo gjë të bukur rreth meje e kam dashur. Në jetë ka ardhur djali që kurorëzoi dashurinë”, tha ajo.
Këngëtarja u ndal edhe tek një nga vështirësitë më të cilën është përballuar familja e saj, më konkretisht bashkëshorti i cili fitoi betejën me tumorin.
“Në vitin 1996 diku nga fundi i shtatorit pikërisht kur ne mendonim se gjithçka ishte në rregull, Naimi më tha se duhet të shkonte në spital. Nuk e mendova se mund të ishte diçka serioze. Kur ai shkoi tek doktori i thanë se duhet të bënte një ndërhyrje. Ishte periudha kur ne po jetonin bashkë me familjen e Naimit. Në këtë rast po flas si shtylla mbështetëse e njeriut që po vuante. Kur Naimi filloi me anestezinë, i mbeti loti ndër sy dhe nuk mundi të më jepte një porosi të fundit.
Kam vdekur disa herë dhe jam ngjallur brenda sekondave. Afër kisha nënën e Naimit dhe po mbështesnim njëra-tjetrën, për të mirë na njoftuan se ai ia doli dhe ishte mirë nga gjendja shëndetësore. Kjo ka qenë një nga ngjarjet që asnjëherë nuk e kisha imagjinuar. Ka qenë shumë e vështirë sepse unë po luaja dy role.
Para Naimit isha një femër e fortë, por kishte edhe momente që unë dobësohesha. Të vështira kanë qenë edhe netët kur më ka kërkuar të kujdesesha për djalin në çfarëdolloj situatë. Unë mundohesha të qëndroja e fortë. Pas 10 ditëve na u komunikua nga doktori se tashmë Naimi ishe mirë dhe rezultatet kishin dalë mirë”, tregoi Mihrije Braha./abcnews.al/