‘Burgu’ i artë i Cristiano Ronaldos: “Të jesh unë, është e mërzitshme”

Një burg i artë, por mbetet sërisht një burg. Kështu ndihet Cristiano Ronaldo që, pas kthimit të tij te Manchester United, ka shfryrë dufin në një intervistë për Daily Mail: “Privatësia ime është zhdukur. Nëse do të kisha mundësinë tani, do të paguaja për të rimarrë privatësinë time. Njerëzit thonë: ‘Por ti je i pasur. Ke para, ke makina, ke shumë shtëpi’. Por kjo nuk është e gjitha. Më besoni, të qenit shumë i famshëm nuk është mirë. A e dini sa herë kam shkuar në park me fëmijët e mi në dy vitet e fundit? Zero”.

Ky është çmimi i vështirë për tu paguar kur je i famshëm: “Nëse shkoj në park papritur shumë njerëz do të vijnë. Fëmijët do të jenë nervozë, unë do të jem nervoz, e dashura ime do të jetë nervoze. Unë nuk mund të shkoj në një bar me miqtë sepse e di që ata nuk do të ndihen rehat me mua atje. Unë i shmang nga këto gjëra, sepse njerëzit përreth meje do të jenë më nervozë se unë. Ndihem sikur jam në një kafaz të përhershëm. Por është shumë vonë për ta ndryshuar”.

Fenomeni portugez është i dëshpëruar për të jetuar në privatësi: “Të jesh unë, është e mërzitshme. Kur fillon fama, gjithçka është e bukur. Je i famshëm, je një lojtar fantastik, fiton trofe, shënon gola, je në faqen e parë të gazetave, në televizion. Por pas shumë vitesh, e sheh jetën në një mënyrë tjetër. Ke një të dashur, ke fëmijë, dëshiron pak privatësi dhe nuk ka më privatësi”.