“Budallallëk të kërkosh partner në një show”- Valer Kolnikaj komenton “Përputhen” dhe tregon pse s’duhet të kemi frikë nga Covid-19
Mjek me kohë të plotë, që sa herë që zgjedh të shfaqet në botën e televizionit, arrin të bëjë bujën e tij. Valer Kolnikaj jeton në Malësi, ndërkohë argumenton pse s’duhet të kemi frikë nga Covid-19.
Kurse si modeli dhe ish-lojtari i “Big Brother”, protagonisti i disa formateve të rëndësishme televizive, jep opinionin e tij për “reality show”-n rival të momentit, ku djemtë garojnë në ekran për vajzën e duhur, “Përputhen” dhe vajzat në garë për princin e kaltër në formatin që pritet të nisë “Love Story”.
Në këtë intervistë për “Panorama Plus”, ai zbulon martesën dhe ngacmimet, planin për fëmijë të tjerë dhe jetën në Malësi larg metropolit…
Në prezantimin për veten në rrjetet sociale, thua “doktor always” dhe rreshton disa talente në fushën e televizionit. Si mund ta miksoje më së miri profesionin e doktorit me atë të showman-it?
Përpara të gjithave jam një doktor (është vlerë e çmuar), pastaj përmend pasionet e gjithçka tjetër për t’u dhënë të kuptohet që ky showman nuk është aspak i zakonshëm. Ky miksimi e bën të veçantë personazhin televiziv që kam krijuar! Është bukur të jesh i larmishëm e jo monoton.
Si ish-lojtar i “Big Brother”, si të tingëllon pjesëmarrja e disa djemve në një garë televizive për të gjetur partneren e duhur në “Përputhen”?
Pjesëmarrësit aty më duken se kanë harruar në çfarë “reality” po marrin pjesë. Siç duket janë fansat tanë nga “Big Brother” se veç për t’u përputhur me vajzat nuk po mundohen. I shikoj të dehur nga fama e vëmendja momentale dhe nuk shikoj personazhe apo karaktere të fortë, domethënë do avullojnë shpejt. Janë të varfër me fjalën, në artikulim e argument, por shyqyr që Tea e Ana janë aty! Më vjen keq që tek ata është e theksuar mungesa e respektit, sidomos ndaj opinionistit të atij formati, Arjan Konomi.
Si pjesëmarrës në spektaklin e Alketa Vejsiut dhe Vera Grabockës “Dance with me”, ç’mendim ke për djalin që kanë zgjedhur për reality show-n e ri “Love Story”?
Me siguri që do jetë një show interesant e i bukur nga dyshja e suksesshme Grabocka-Vejsiu. Është interesante të ndjekim disa femra që vihen në konkurrencë për një mashkull apo për dashurinë e tij. Në këtë aspekt, paksa delikat duket. (Qesh).
Ne jemi mësuar që në dashuri të shikojmë meshkuj që shkojnë pas femrave për t’i adhuruar për cilësitë e tyre, për t’i bërë për vete dhe dashuruar.
Nëse do t’i ndanim djemtë në malësore, jugorë dhe të Shqipërisë së Mesme. Cilët janë burra të vërtetë në plot kuptimin e fjalës sipas teje?
Burrërinë e vërtetë mashkulli i çdo zone, kudo, (sepse ndarja sipas zonave apo krahinave nuk ka lidhje aspak më), e tregon secili duke dashur e kujdesur shumë për njeriun e zemrës e familjen e vet. Duke respektuar të tjerët me vlerat dhe personalitetin e tij. Nëse jo, do jenë si meshkujt e tjerë që mburren kot! (Qesh)
Do bëheshe ti pjesë e një programi të tillë për ta zgjedhur në ekran partneren e jetës dhe çfarë do kishe parasysh në zgjedhjen e një vajze mes disave?
Për një vlerë të çmuar të jetës si dashuria, është budallallëk të presësh ta gjesh në një show televiziv. Por e di që dikush do më kundërshtojë duke thënë se pse jo, gjithçka mund të ndodhë etj! (Qesh) Personalisht kam një bindje e ndjenjë tjetër për dashurinë.
Unë kam dashur për të arritur atë më të bukuren dhe të pamundurën, s’i kam pasur qejf gjërat e lehta. Jam i lumtur që dashuria ime me Mandalenën është krijuar në rrethana duke përmbysur çdo vështirësi-kundërshtim-negativitet dhe pamundësi.
Tani që e ke gjetur, të gjuajnë dhe ç’të tundon vërtet sa harron që je i martuar?
Nëse do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje realisht, do dukem si ai djali i show-t “Love Story”, që përmendëm pak më parë. Kështu që më mirë s’po të tregoj për ato që më gjuajnë, por po të tregoj sa tundohem unë. S’e di si vjen jeta në vazhdimësi, por deri më sot vazhdoj ta dua gjithnjë e më shumë nusen time!
Dhe si është jeta jote larg Tiranës, si mund të qëndrosh trendy larg metropolit?
Jeta në Malësi është shumë më e bukur se në kryeqytet. Te ne ka qetësi, ushqime bio, ajër të pastër, ujë bjeshkësh etj. Sa për pak Tiranë, e kemi kur të duam 1 orë e 30 minuta rrugë dhe jam aty. Stili e eleganca ose i ke, ose nuk i ke. Kudo është njësoj!
Këtë karantinë të dytë si e prite dhe realisht sa frikë duhet të kemi nga Covid-19 si mjek që je?
Që nga fillimi i kësaj pandemie të Covid-19, kam qenë bashkë me të gjithë kolegët e mi e infermierët në vijën e parë të luftës me këtë armik të padukshëm. Në çdo kohë, duke u kujdesur për njerëzit që vërtet kanë pasur nevojë. Çlodhja jonë ka qenë shërimi i tyre dhe më shumë se kurrë kam qenë krenar për profesionin si mjek! Nuk duhet të kemi aspak frikë, sidomos tani që njohuria për ta mundur këtë armik na është shtuar!
Shumë çifte e kanë kthyer këtë periudhë në favor të tyre, duke sjellë në jetë fëmijë. Ti e ke menduar diçka të tillë?
(Qesh) Ne i kemi dy djemtë tanë të mirë, Dario e Elizeo, por duam të kemi dhe fëmijë të tjerë! Urojmë ta kemi bekimin e Zotit për djem dhe një vajzë se e ka fiksim Mandalena!
Mandalena jote është engjëll apo djall në kuptimin figurativ, më saktë si arrin të mbajë pranë vetes një djalë të shkathët si ty?
Është engjëlli më i bukur e më i mirë, prandaj e ka të lehtë për të më mbajtur pranë vetes. Kjo qetësia e mirësia e saj më bën gjithnjë e më me përgjegjësi!
Dhe në fund si është jeta e Valer Kolnikajt në 365 ditë të vitit? Për çfarë lutesh, me çfarë je bekuar, ç’të deh shpirtin dhe a ke ndonjë peng?
Nuk e di, por gjithçka timen të bukur që përjetoj gjatë 365-ditëshit ia kalon momenti kur 2 djemtë tanë si drita (shprehje malësore kjo) vijnë të flenë me ne në krevatin super “King size” (Qesh). I shikoj teksa flenë dhe them me shpirt: “ZOT FALEMINDERIT!”
/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka