Britney Spears reagon pas dokumentarit për jetën e saj: ‘Qava për dy javë’

“Framing Britney Spears” u publikua në shkurt dhe foli për gjithë jetën e yllit të muzikës pop drejt majës së industrisë së muzikës, si u trajtua ajo në duart e mediave tabloide, hyrja e saj e pavullnetshme në një repart psikiatrik në vitin 2008 si dhe problemet që pasuan me kujdestarinë e të atit.

Në një deklaratë në Instagram, Britney tha:

“Nuk e kam parë dokumentarin, por ato pjesë që pashë prej saj më bëjnë të ndihem e turpëruar për pozicionin në të cilin më vendosën. Kam qarë për dy javë dhe ndonjëherë, qaj ende.”

Në postim, Spears shfaq dhe një video të saj duke kërcyer:

“Kam qenë e ekspozuar tërë jetën time, duke performuar përpara të tjerëve. Duhet shumë forcë që t’i besosh universit me gjithë dobësitë e tua sepse unë kam qenë gjithmonë e cënuar, e fyer dhe e turpëruar nga mediat. Jam ende dhe në ditët e sotme. Ndërsa jeta vazhdon, ne mbetemi ende njerëz të brishtë dhe të ndjeshëm.”

Pasi preku dokumentarin, ajo tha:

“Unë bëj atë që mundem në spiritualitetin me veten time për të qëndruar e gëzuar dhe për të mbajtur lumturinë dhe dashurinë gjallë. Çdo ditë vallëzimi mua më sjell gëzim. S’jam këtu për të qenë perfekte, perfektja është e mërzitshme. Jam këtu për të përcjellë mirësinë.”

Burimi: Press Association, The Guardian

/Anabelmagazine