Brisida Shehaj për herë të parë tek “Rudina”: Do të bëhem nënë e vetme, pse e mora këtë vendim pa bashkëshort në krah

Brisida Shehaj, ish- drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve ishte e ftuar sot në programin e Rudina Magjistarit “Rudina” në “Tv Klan”, ku rrëfeu për herë të parë në një intervistë televizive detaje të jetës së saj private.

Shehaj, e cila aktualisht mban detyrën e nënkryetares së partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim” (LSI), prezantoi para publikut anën tjetër të medaljes, përtej profilit të politikanes. Ajo rrëfeu si rrallëherë detaje të jetës private, për të cilën është kujdesur të jetë hermetike gjatë viteve intensive si drejtuese në poste të rëndësishme.

E njohur si “Brisi i Tatimeve” sot 38-vjeçe, Brisida iu përgjigj pyetjeve të Rudina Magjistarit në lidhje me modelin e saj të gruas në administratë, ku drejtoi për 3 vite, Drejtorinë e Tatimeve. Shehaj tha se, nuk ka asnjë model frymëzimi të gruas në politikë, pasi e frymëzon përditshmëria, dhe se ka idhull vetëm nënën e saj.

Duke u ndalur tek marrëdhënia e ngushtë me prindërit dhe vëllain, i cili e ka bërë hallë dy herë, Rudina e pyeti drejprëdrejt nëse është një nga të dëshirat e saj të bëhet nënë? Brisida u përgjigj pa u menduar gjatë:

“Është e vetmja dëshirë që kam patur sa herë diskutoja me mikeshat e mia. Më thoshin:”Ti je e realizuar, ke gjithçka që të duhet në jetë”. Dhe unë ua ktheja: “Zoti të jep atë që s’do!” Kështu unë e kam marrë vendimim për t’u bërë nënë, ndoshta e vetme, dhe është një nga planet e mia të afërta. Për mua të qenit nënë është fat, që dhe vjen edhe s’vjen në jetë. Por unë s’kam ndërmet t’i heq mundësinë vetes për t’u bërë nënë, ndaj shpresoj ta realizoj vetë. Të ishte dikush në krahun tim do ishte shumë mirë, por për fat kam një familje që më përkrah në këtë vendim. E kuptoj që do të ketë paragjykime, siç ndodh në rastet kur dikush bëhet nënë, pa një bashkëshort në krah. Por për mua është më e ndershme dhe e moralshme të bësh diçka të tillë, sesa të shtiresh si 80 për qind e çifteve, që hiqen si të lumtur në foto apo dalje televizive”.

Rudian i shprehu vlerësimin e saj, për rrëfimin që ajo bëri në këtë program, pasi u jep shpresë dhe shumë grave të tjera, që e kanë shumë të fortë dëshirën për t’u bërë nëna, por mentaliteti nuk i lejon”.

“Për sa kohë gjykoj që është një vendim i imi, nuk ka asgjë për të mos u thënë apo për ta fshehur. Unë sapo bëra 38 vjeçe, dhe sigurisht që dua ta plotësoj këtë dëshirë. Për një natyrë si puna ime, nuk ka të bëjë as politika dhe asgjë tjetër në hedhjen e një hapi të tillë”, tha Brisida ndër të tjera. Gjatë intervistës, ajo iu përgjigj edhe pyetjes nëse ka qenë pjesë e ndonjë konsursi bukurie apo jo, nisur nga lajmet e publikuara herë pas here në media. Brisida tregoi se, s’ka marrë pjesë në gara bukurie. I vetmi angazhim ka qenë si modele e fotomodele në vitin 2005, kur ishte studente në vitin e tretë të Ekonomikut.

“Ka qenë mendimi i Marcela Latit, dhe më pas e Enada At’Nikollës për të më përfshirë në projektet e tyre, si modele. Ishin të parat dhe të fundit aktivitete, pasi s’kam pasur asnjëherë pasion botën e spektaklit”, tha ajo. Në lidhje me shprehjen e famshme të saj: “E ku qëndron problemi këtu?!”, Brisida tha se e ka përdorur në kontekstin e realitetit shqiptar, për punonjësit e Administratës në kohën kur ishte drejtoreshë.

Brisida Shehaj, u shndërrua në emrin më të lakuar të gruas në politikë, kur në vitin 2013 u emërua në postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Administratës Tatimore. Pas tre vitesh ajo u largua nga drejtimi i Drejtorisë së Tatimeve. Menjëherë më pas, u emërua Zëvendësministre Ekonomie, por pas dy muajsh në këtë detyrë dha dorëheqjen. Për pak kohë qëndroi larg pozicioneve politike, duke u përfshirë më pas në botën e televizionit, ku punonte në një televizon privat. Prej muajit tetor të vitit 2020, Shehaj ka marrë detyrën e nënkryetares së partisë “LSI”.