Briseida Mehmeti: Dashuria mund të të ngrejë në qiell dhe të të përplasë në tokë, mashkulli aventurier që më bën të mos humb interesin

Ti do e përkufizoje veten të ftohtë apo të nxehtë?
Unë do e përkufizoja veten akull. Nuk dua të bëj vajzën e mirë, të dashur dhe të ëmbël kot. Unë jam një njeri i ftohtë dhe jo vetëm pse e them unë, por ma thonë shumë shpesh. Të më njohësh dhe të bëhesh i afërt me mua është një sfidë më vete. Gjithmonë zgjedh të tregoj aq sa duhet dhe dua unë nga vetja dhe atë që unë mendoj që njerëzit duhet të dinë për mua. Për sa i përket Brisit të vërtetë, janë shumë pak njerëz që mund ta njohim dhe gjithsesi unë ngelem një njeri i ftohtë pavarësisht se sa shumë mund t’i vlerësoj dhe t’i dua njerëzit, nuk e shpreh asnjëherë si duhet.
Je e dashuruar dhe cili është imazhi i mashkullit që të përmbush?
Jam e mbushur me dashuri. Ka shumë njerëz që i dua dhe që më falin të gjithë dashurinë e mundshme çdo ditë. Kam një familje që më do shumë dhe njerëz të tjerë përreth që gjithashtu më duan dhe më mbështesin. Mendoj që jam ende pak e vogël për të përshkruar mashkullin që më përmbush, sepse jam shumë e sigurt që kur të bëhem 20 apo 25 vjeçe do e lexoj këtë intervistë dhe do të them që ja kam futur kot.
Çfarë vlerëson tek një mashkull si një 18 vjeçare që je?
Gjithsesi, gjërat që vlerësoj tek një mashkull janë karakteri i fortë, sinqeriteti, siguria që më ofron, besimi, serioziteti dhe shpirti aventurier. Do e humbja shumë shpejt interesin dhe dëshirën për të ndenjur me një njeri që përfshihet tërësisht në atë monotoninë e jetës së tij, dhe nuk mundohet të bëjë asgjë ndryshe. Sigurisht, të rëndësishme janë dashuria dhe respekti që njeriu që ke në krah ka për ty, pa to një marrëdhënie është e pamundur.
Sa e rëndësishme është dashuria për ty?
Dashuria për mua është një ndjenjë shumë e fortë. Mund të të ngrejë në qiell dhe të të përplasë në tokë menjëherë. Dashuria është një nga ndjenjat më të rëndësishme që na shoqëron në jetë. Nuk do të ishim të njëjtët pa dashurinë e prindërve, të afërmve tanë, pa dashurinë e njerëzve të caktuar që kemi pasur pranë në jetë. Duhet të dimë ta vlerësojmë, të japim dhe të marrim.
Melodia që të bën ta jetosh jetën si një film plot ngjyra, po melodia që të bësh ta jetosh jetën bardh e zi?
Muzika ka një pjesë shumë të rëndësishme në jetën time. Jo vetëm për kënaqësinë që i ofron të gjithëve, por unë jam marrë me muzikë për disa vite dhe lidhja me të mbetet e fortë. Nuk di të them dy melodi të caktura. Por muzika mundet të më ngrejë dhe të më ulë humorin shumë thjesht, mjafton kënga e duhur.