Brigitte Bardot dënohet nga një gjykatë franceze
Një gjykatë franceze gjobiti Brigitte Bardot, një legjendë e kinamatografisë botërore e cila është kthyer në aktiviste për të drejtat e kafshëve. Shkaku i gjobitjes me 5000 euro, u bë fjala “çnjerëzor”, të cilën Brigitte ia drejtoi kreut të federatës kombëtare të gjuetarëve.
Gjykata në qytetin verior të Arras, e shpalli aktoren 86-vjeçare fajtore për ofendim publik të Willy Schraen dhe anëtarëve të klubit të tij të gjuetisë, të cilët ajo i përshkroi si “terroristë të botës së kafshëve”.
Për më tepër, ajo do të paguajë 1.000 euro dëmshpërblime për shefin e gjuetisë dhe 1.000 të tjera për shpenzimet ligjore.
Fyerjet, që Bardot i pranoi se tingëlluan “paksa të vrazhda”, u shfaqën në një artikull që ajo shkroi në fund të vitit 2019 për fondacionin e saj për të drejtat e kafshëve. Aty ajo akuzoi Presidentin Emmanuel Macron për përpjekjen për të mashtruar votuesit duke zbutur ligjet e gjuetisë.
Nëse zgjedh të mos e paguajë është e drejta e saj, vetëm se gjoba rritet 100 dollarë çdo ditë. Ka gjithashtu 15 ditë kohë për ta fshirë editorialin nga faqja e saj.