Braktisën karrierën për martesën, zbulohen projektet që rikthejnë në skenë Getoar Selimin dhe Marina Vjollcën
Reperi i njohur Getoar Selimi ka nisur pushimet me bashkëshorten e tij, moderatoren Marina Vjollca që mesa duket do të jenë të fundit për këtë vit, pasi paralelisht po punojmë për t’iu kthyer intensivisht punës. Një vit pas martesës ku shijuan një “muaj të gjatë mjalti”, për t’iu dedikuar tërësisht martesës, çifti janë arratisur për pushimet e kësaj vere. Të dy kanë publikuar foto në profilet e tyre në Instagram, ku tregojnë se si po i shijojnë këto ditë të nxehta, po pa specifikuar destinacionin që kanë zgjedhur për t’u relaksuar. Ishte reperi i famshëm i Kosovës ai që publikoi dje një foto mbi skaf. Në selfien që postoi për ndjekësit, në sfond dukej Marina, e cila shfaqet për herë të parë pas muajve të gjatë të mungesës në ekran. “Jeta është më e mirë pranë detit”, shkruante reperi kosovar bashkëngjitur me foton e pushimeve, ku shihet se po marrin energjitë e duhura për t’i kthyer karrierës fuqishëm. Kështu Marina pas pauzës që pasoi mbylljen e projektit të saj televiziv “C’est la vie “ në “Tv Klan” është duke punuar për rikthimin me një tjetër projekt në këtë televizion, që me shumë gjasa do të jetë projekt i vëllezërve Pandi dhe Bledi Laço. Ndërsa Getoari, i cili u kritikua mjaft nga fansat dhe kolegët se për shkak të martesës kishte lënë pas dore krijimtarinë muzikore dhe koncertet, gjithashtu po punon për një tjetër hit. “Dashni me raki” ishte bashkëpunimi i Getoar Selimit me Flori Mumajesin, për t’u pasur nga një tjetër projekt i ri. Lideri i “Babastars” po bashkëpunon me rumunin Alandi për këngën e tij të re, që padyshim do të jetë një hit.
Martesa me reperin, koha kur Marina ndihej si “shtëpiake e dëshpëruar”
Pas mbylljes së spektaklit “C’est la vie”, Marina Vjollca iu dedikua një jete të qetë larg preokupimeve dhe lodhjes që shkakton ritmi intensiv i punës në televizion. Ajo madje nuk ka qenë shumë aktive në rrjetet sociale këto kohë, dhe në ndonjë postim të rrallë ka bërë autoironi duke e konsideruar veten “shtëpiake të dëshpëruar”. Videoja më e fundit që Marina postoi në Instagram ishte ajo nga ballkoni i shtëpisë në zonën “Kodra e e diellit”, që dëshmonte se ajo po kalonte shumë kohë duke u relaksuar në shtëpi. Madje për ca kohë munguan edhe fotot nga udhëtimet e shpeshta të çiftit në destinacione të shtrenjta, siç bënin vitet e fundit. Për t’iu përshtatur karrierës së saj në Shqipëri, Getoari vendosi të blinte apartament në Tiranë, ku tani bashkëjetojnë si burrë e grua. Por martesa e largoi paksa Getoarin nga karriera muzikore, pasi i rralloi produksionet e tij ndërsa shihej gjithmonë pranë partneres, sipas Panorama Plus.