Botërori për fluturimet me parashutë/ Klasifikohet në top 10-she, Xhonatan Islami: Synimi im është fitorja e Europianit

Në Bullgari është mbajtur kampionati botëror për fluturimet me parashutë, për të 12-in vit radhazi. Në këtë garë morën pjesë 31 shtete nga e gjithë bota, me ekipet e tyre kombëtare të përbëra nga 5 pilotët më të mirë të çdo shteti.

Gara u zhvillua në Sopot të Bullgarisë për gjashtë ditë rresht në kushte sfiduese meteorologjike. Ekipi ynë kombëtar i përbërë nga (Xhonatan Islami, Blerian Brace, Silian Zani, Arber Haxhiaj, Denis Miftari dhe trajner Alket Islamin) u rendit në vendin e 13 nga 31 shtete.

Ndërsa në garën individuale, Xhonatan Islami arriti të renditej në top 10, duke korrur sukses, mes 130 pilotëve garues.

Momenti që shihni në foto është njëra nga uljet që Xhonatan Islami bëri gjatë 13 raundeve në kampionatin botëror të fluturimeve të lira në disiplinë precizion.

Islami u rendit i 9-ti në këtë garë, duke shënuar rekordin më të lartë të arritur ndonjëherë nga Shqipëria. Gjithashtu ky ka qenë një sukses i Federatës Shqiptare të Aeronautikës.

Ky është një sukses i padiskutueshëm i Xhonatan Islamit, i cili është një ekspert i sporetve ajrore.

Në një prononcim për CNA, sportisti Islami shprehet i kënaqur më rezultatin e ekipit dhe atë individual, duke parë rivalitetin e lartë dhe kushtet e vështira.

Ai shton se: “Isha stërvitur shumë për këtë garë dhe ishte në objektivin tim të arrija në top 10-shen e pilotëve më të mirë.”

Ende pa e shijuar mirë suksesin në kampionatin botëror të mbajtur në Bullgari, Xhoantan Islami mendon për kampionatin europian.

Ai i ka të qarta objektivat, teksa shpreh ambicien për të qënë kampion.

“Në të ardhmen, synimi im është fitorja e Europianit, i cili do të mbahet në Gjirokastër në 2024”, tha Islami.

Botërori i radhës mbahet në 2025-ën në Turqi.

/ CNA