Blogeret mbështesin Lulzim Bashën në zgjedhjet e 25 prillit, zbulojnë pse u përfshinë në fushatë
“Vetëm gratë mund ta sjellin ndryshimin për Shqipërinë! Kështu që ti udhëhiq!”
Ishte kjo motoja që bëri bashkë në një tryezë diskutimi të hënën blogeret më të njohura në vend në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në këtë takim ku të pranishmit bashkëbiseduan për çështje te ndryshme shqetësuese në vend, gazetarja dhe blogerja, Fatma Haxhialiu shprehu nevojën për të votuar më shumë se kurrë në zgjedhjet e 25 prillit, pasi sipas saj, modeli i një lideri arrogant dhe bullizues duhet të hiqet nga politika shqiptare. Një problem tjetër që ajo evidentoi, ishte edhe mungesa e shtresës së mesme e cila është e rrudhur.
Ndërkohë panelistja e rubrikës së ndjekur në “Top Channel” “Rrethi Katror” në “ E Diell” , Ina Kollçaku ftoi ndjekësit të votojnë PD-në në zgjedhjet e 25 Prillit, ndërsa postoi dhe një video me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Gjithashtu edhe blogeret e njohura të pranishme në takim shprehën mbështetjen e tyre për kryetarin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit. Basha tha se beson tek racionalizmi si detyrim ndaj votuesit. Ai u shpreh se modeli që do të sjellë në politikë, është ai i individit të fortë si hapi i parë real drejt europianizimit, ndërsa hapi i dytë është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian.
Kryedemokrati tha se edhe pse përdoret truku për t’i shitur zgjedhjet si garë mes dy personave, në të vërtetë zgjedhjet janë për zgjidhjet e munguara për qytetarët.
“Unë besoj tek racionalizmi edhe si detyrim ndaj votuesit. Tani vijmë tek pikat kryesore, çfarë do të bëjmë se 25 prilli po vjen? Modeli i atij që ka qeverisur tetë vite, është modeli: “Unë mbi gjithçka dhe pas meje kiameti”, ndërsa modeli që ne duam të sjellim, modeli që unë dua të sjell, është modeli i individit të fortë. Momenti që ne sjellim individin e fortë, momenti që ne shtrijmë sinorët e shtresës së mesme, rrisim pavarësinë e mendimit, duke nisur sigurisht nga popullsia e mesme dhe e pasur urbane, profesionistët pra, tek sipërmarrësit por edhe kudo tjetër, edhe te fermeri. Në këtë moment, besoj që kemi hedhur hapin e parë real drejt evropianizimit. Pa arritur tek hapat formalë që do të çojnë drejt anëtarësimit të plotë në BE, që është garancia e fundit, për të mos iu kthyer më pastaj në sharlatanizma të tilla sepse me thënë të drejtën, kur u futëm në NATO, kur hoqëm vizat, sigurisht në 2013 humbëm pushtetin, nuk na pëlqeu por thamë nuk është tragjedi, është realitet i demokracisë por të na e merrte mendja që në 2021 të ktheheshim prapë te shqetësimi si në 1990, apo në ‘85, se mund të kthehemi prapë në diktaturë, se nuk kemi të garantuar lirinë e fjalës, se mund të kemi pasoja për ushtrimin e lirisë individuale, kjo është e paimagjinueshme! Truku më i suksesshëm i këtyre zgjedhjeve do të ishte që t’i bindë shqiptarët që zgjedhjet janë për mua ose për të. Në fakt zgjedhjet janë për ju. Zgjedhjet janë për zgjidhjet që meritoni ju. Domethënë rinisë i duhet thënë fare qartë: në qoftë se nuk voton, kështu siç është dhe më keq do bëhet”, tha Lulzim Basha.