Biografia e Luana dhe Marina Vjollcës zbulon detaje nga e shkuara e motrave

Motrat e njohura të televizionit, Luana dhe Marina Vjollca po përgatiten për sezonin e ri televiziv, kësaj here nga ekrane të ndryshme. Luana po punon për një program të ri që do të transmetohet të shtunën në primetime në ekranin e “Top Channel”, ndërsa Marina për spektaklin muzikor të dielave në ekranin e “Tv Klan”. Por pas karrierës si velinë, moderatore dhe kohët e fundit si këngëtare, Luana ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm. Ajo tashmë ka hapur faqen e saj zyrtare në internet. Po të klikoni në www.luanavjollca.al do t’ju hapet një biografi profesionale dhe artistike e Luanës, në të cilin mund të mësoni më shumë rreth saj. Një nga kategoritë më tërheqëse në faqe është biografia e Luana Vjollcës, pjesë e së cilës bëhet edhe Marina. “Edhe pse publiku e mban mend fillimisht si velinë, më pas moderatore dhe vitet e fundit edhe si këngëtare, në fakt radha nuk është e tillë. Luana e ka nisur fillimisht me muzikën karrierën e saj, vetëm se asokohe ishte ende fëmijë. I ka provuar herët ethet e një kompeticioni kur u ngjit në skenë në Festivalin e Fëmijëve bashkë me Marinën, motrën e saj,” thuhet në biografinë e saj. Në këtë faqe zyrtare ajo nxjerr në shitje edhe këngët e saj.