Bill Gates parashikon një tjetër pandemi pas 3 vitesh
Bill Gates, i cili vite më parë “parashikoi” se bota do përballej me një pandemi për të cilën nuk do të ishte gati, tani ka bërë një tjetër parashikim. Sipas miliarderit nuk do të jetë e largët koha kur njerëzit do të përballen sërish me një pandemi, por që nuk do të shkaktojë dëme sa Covid-19.
Në një bashkëbisedim në podcast-in e aktores Rashida Jones, ku ishte i pranishëm edhe epidemiologu i njohur amerikan Anthony Fauci, Gates u shpreh se pandemia e radhës mund të vijë pas 3 vitesh ose po patëm fat, do të vijë brenda 20 viteve.
Gjithsesi për bashkëthemeluesin e “Microsoft” pandemia tjetër nuk do të ketë ndikimin shkatërrues që pati koronavirusi, pasi do të jemi të aftë të reagojmë më shpejt dhe do të kemi pajisje më të mira testuese.
“Tashmë jemi praktikuar dhe mendoj se në pandeminë e radhës do të përgjigjemi të gjithë siç bëri në fillim Koreja e Jugut apo Australia me Covid-19. Gjithashtu, do të kemi pajisje testuese më të mira. Nuk besoj të tregohemi budallenj herën e dytë” tha Gates ndër të tjera.
Kujtojmë se milarderi më herët është shprehur se pret që pandemia e Covid-19 të marrë fund në vitin 2022. Megjijthatë ështe optimist për krijimin e shpejtë të vaksinës, për përdorimin e të cilave ka qenë avokat që në fillimin e koronavirusit:
“Pandemia do të përfundojë brenda dy vitesh. Por, brenda fundit të vitit mund të kemi 3 vaksina të autorizuara”
/News31