Besa Kokëdhima rikthehet pas 6 vitesh në ‘Kënga Magjike’, këtë herë me një këngë tërësisht të sajën

Besa Kokëdhima pritet që ditën e sotme të prezantojë këngën e saj më të re në “Kënga Magjike”. Këngëtarja e njohur ka 6 vite që nuk merr pjesë në këtë festival, ndaj kurioziteti i publikut për këngën e saj është shumë i madh. Pak orë para prezantimit Besa ka vendosur të zbulojë diçka më shumë rreth këtij projekti të ri, i cili duket se është mjaft i rëndësishëm për të. Ajo ka treguar se këtë herë do të rikthehet me një punim tërësisht të sajin, ndaj për Besën kjo këngë duhet të mbart shumë kuptim.

Besa-2

“Sot në orën 17:50 prezantoj një copëz shpirti në skenën epike të ‘Këngës Magjike’. Gjatë karrierës sime gjithnjë kam qenë e përfshirë në proceset e krijimit, realizimit e çdo hapi të muzikës sime duke bashkëpunuar me artistë të mrekullueshëm, por këtë herë vij me një krijim tërësisht timin. ‘Histori’ është edhe rikthimi im plot emocion tek ju”, ka shkruar Besa në një postim në ‘Instagram’.

Të gjithë ndjekësit e saj i kanë uruar këngëtares suksese dhe janë shprehur se ajo i ka munguar shumë skenës së festivalit. Për herë të fundit Besa mori pjesë në ‘Kënga Magjike’ me këngën ‘Tatuazh në zemër’, me të cilën fitoi çmimin e parë dhe ‘Kënga më e mirë dance’. /revistawho.com