Bëri një pritje prej portieri të madh, por e katranosi te goli/ Shikoni çfarë shkruajnë mediat italiane për Strakoshën

Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Tomas Strakosha, duhet ta kishte shfrytëzuar rikthimin si titullar me Lacion për të trembur në maksimum titullarin Pepe Reina dhe të rifitonte vendin që i takonte në radhët e kryeqytetasve, por ndërkohë, në Stamboll 26-vjeçari ka bërë shumë hapa prapa.

Teksa në pjesën e parë kishte qenë traversa, e cila i kishte mohuar golin Gallatasarajit dhe kishte shpëtuar edhe Strakoshën, në pjesën e dytë, në minutën e 67-të, ndodh fatkeqësia: pas një aksioni thuajse inekzistent dhe pa rrezik, ku një mbrojtës i Lacios shkelmoi topin fort në ajër, sfera nga goditja “e pistë” po i afrohej drejt portës, por Strakosha, edhe pse dukej e lehtë ta grushtonte për më pak rrezik, provoi ta neutralizonte me topin që i rrëshqiti nga duart dhe përfundoi në rrjetë.

Duart në kokë nga Tomasi dhe një gol i dhuruar, i cili në fund vlejti dhe mjaftoi për t’i dhënë tri pikët e para në Ligën e Europës Gallatasarajit, por dënoi Lacion.

NOTAT PËR STRAKOSHËN:

“LALAZIOSIAMONOI” 4 – “Në debutimin sezonal mund të bënte shumë pak ndaj goditjeve të Dervishoglu e Morutan, por në të parën ndërhyn Felipe dhe në të dytën e shpëton traversa. Por në pjesën e dytë vendos që të bëjë harakiri dhe të devijojë gabimisht në portën e tij, duke dënuar Lacion, në ndeshjen e parë të grupeve të Ligës së Europës”.

“SPORTMEDIASET” 4 – “Gjykimi i tij i gabuar mbi atë top të lehtë peshon me tonelata mbi ndërgjegje, duke u dhuruar tri pikët turqve. Në pjesën e parë u tregua i zoti që i tha ‘jo’ Çiçaldaut, por në të dytën shkatërroi gjithçka”.

“TUTTOMERCATO” 4.5 – “Një gabim që mund ta vërë në mendime të vështira Tomas Strakoshën, pasi gafa e tij i dhuroi Gallatasarajit tri pikët. Gjithsesi, pritja ndaj Çiçaldaut ishte prej portieri të madh”.

PANORAMASPORT.AL