Bëri histori! Evangjelia flet për problemet e sportistëve: ‘Nuk duhet të vazhdojë ky justifikim’

Peshëngritësja Evangjelia Veli bëri histori kur u shpall kampione e dyfishtë e Europës në stilin e shkëputjes dhe dygarësh për peshën deri në 55 kg. Pas fitores në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, i cili u mbajt në Tiranë, të shumtë qenë figurat politike që duartrokitën virtualisht rezultatin historik.

Megjithatë, përtej duartrokitjeve virtuale, Evangjelia, si shumë sportistë të tjerë që përballen me probleme të tilla, kërkon nga shteti shqiptar mbështetje reale. Ajo shprehu mirënjohje për ndryshimet ligjore të bëra së fundmi, por siç duket ka ende shumë punë për të bërë.

“Unë personalisht shpërblimin që më takon nga vendi i katërt në botëror akoma nuk e kam marrë. Ishte një kosto e madhe për mua sepse nuk kisha anët financiare që të përgatitesha. Nëse nuk do të kisha familjen time që më ka ndihmuar, nuk do të kisha këtë rezultat dhe nuk do kisha arritur deri këtu,” tha ajo në një intervistë për Euronews Albania.

Evangjelia shtoi se duhet të ndryshohen politikat për sigurimet e sportistëve që jetojnë jashtë vendit, por zgjedhin të garojnë për shtetin shqiptar.

“Nuk e di se kujt i takon ta zgjidhë, por duhet të zgjidhet problemi me sigurimet e sportistëve sepse nuk kemi sigurime. Unë jam vrarë gjatë përgatitjes time për në botëror edhe të gjitha shpenzimet që kisha për operimet që kam bërë në këmbë, i kam mbuluar vetë, nuk kam patur mbështetjen e askujt. Është shumë e vështirë sepse nuk banoj në Shqipëri dhe nuk mund të mbulojnë shpenzimet që unë bëj, diçka që nuk është fare e drejtë.”

Peshëngritësja tha se ka patur oferta nga shumë vende, përfshirë këtu edhe Anglinë, por ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë.

“Në fund fare nuk ka rëndësi ku jetoj unë, unë përfaqësoj Shqipërinë. Unë medaljet i kam sjellë në Shqipëri, është dëgjuar himni shqiptar të dielën në Tiranë dhe nuk duhet të vazhdojë ky justifikim [me sigurimet]” përfundoi ajo.

Anabelmagazine