Ben & Suela, muzikë të dedikuar nga dhëndri kitarist
“Mund të them, që ajo mbrëmje ka qenë rreshti i parë i faqes së parë të një libri, që, me sa kuptova, e kisha nisur vite përpara kur njoha Suelën”
Beni dhe Suela është çifti që kemi zgjedhur këtë herë në rubrikën “Ëedding” dhe që kanë celebruar këtë verë historinë e tyre të dashurisë shtatë vjeçare. Dasma e tyre u organizua tek “TeStela Resort”. “Ishte zgjedhja e duhur, përsa i përket menusë elegante, hapsirës dhe ritmit të mbrëmjes”, tregon Beni. Mbrëmja e tyre ka qenë diçka krejt personale. “Nuk kemi ndjekur asnjë traditë apo zakon gjatë tërë eventit, vetëm atë momentin kur dhëndri merr nusen. Kjo për kënaqësinë e prindërve, gjithsesi në një mënyrë shumë të thjeshtë”, flet dhëndri, që në fakt ka shumë për të thënë për dasmën e tyre. Dekori i dasmës u bë nga “Geraldina Sposa” dhe doli saktësisht siç çifti e kishte kërkuar; elegant, dhe me pemë qershie, një frut që mban një histori për çiftin. “Organizimin e mbrëmjes ja lashë në dorë mikut tim Altin Goci, i cili bëri një punë të shkëlqyer. Dhe muzikën e bëri me ndjenjë”, thotë Beni. Celebrimi i çifit u bë në orën 19:00 në ambientet e jashtme, i shoqëruar edhe nga një cocktail. Celebrues çifti nuk kishte zgjedhur ndonjë punonjës bashkie, por mikun e tyre Mikelin, i cili kishte përgatitur një fjalim shumë emocionues. Në orën 20:00 filloi mbremja, e cila zgjati deri në orën 03:00. Por momenti më i bukur i dasmës ishte mesnata. “Diku nga mesnata u ngjita dhe unë në skenë, dhe performuam bashkë me Altinin dhe grupin, “Hollow Years” të “Dream Theater”, dhe “This I Love” të Guns N’ Roses. Kjo e fundit ishte dedikim surprizë për Suelën. Një emocion shumë i madh të luaja këto këngë në atë mbrëmje dhe të luaja për Suelën. Ajo ishte në tërë ato nota, dhe hapësira mes notash, që më dolën nga gishtat. Ajo ishte nata”, thotë në mënyrën më të dlirë dhëndri ynë.
Çifti
Më tej Beni, që ka marrë përsipër të ndajë historinë e dashurisë së tij me Suelën na tregon: “Pa dashur të futem në tregime të këtyre viteve, dua të përkufizoj faktin, që në një subkoshiencë të largët tonën, në një mënyrë shumë të sinqertë dhe mbi sipërfaqe, që ditën e parë që jemi njohur, kemi kapur disa tema, naivisht, por me një lloj besimi të fshehur diku, tema të cilat janë çfarë ne realizuam deri tani. Të dy bashkë, të lidhur në jetë me njëri-tjetrin, me ide të qarta në kokë. E gjitha kjo shtatë vite me vonë ditës kur u njohëm. Shtatë vite jetë të ndryshme, larg njëri-tjetrit, por që në një fare rrethi karmik, të destinuara të përfundonin në një të vetme. Tani jemi të dy, duke bërë saktësisht gjërat që kishim fantazuar fëmijërisht, një ditë të ngrohtë Gushti të mijëra viteve përpara”, tregon me sinqeritet dhe ndjenjë Beni. Në profesion Beni është Interior Designer, por pjesë tjetër interesante e tij është edhe fakti se ai është një muzikant. ai është kitaristi i grupit rock “Crossbones”. Ndërsa Suela është diplomuar për Informatike dhe punon si ËebMaster në televizionin Top-Channel.
Fotografia
Një pjesë e rëndësishme e dasmës është padyshim fotografia. Janë pikërisht ato që mbeten nga një dasmë. Kujtimet e bukura, të cilat çifti kishte menduar gjatë. “U lumturova shumë kur, në kërkim e sipër, për një fotograf/e jo të zakonshëm/e, gjeta Soelën (Zani). Në fakt e gjeti Suela. U lumturova sepse në fotografinë e saj, pashë një frymëmarrje të bukur të dritës, ngjyrës dhe lëvizjes aty brenda në foto. Profesionale dhe e përkushtuar, por mbi të gjitha e përulur në punën e saj, në një kuptim shumë të madh”, tregon Beni.