Ben Affleck dhe Jennifer Lopez fejohen sërish!

Ben Affleck dhe Jennifer Lopez janë gati të martohen! Ata janë tashmë (sërish) të fejuar.

Jennifer ndau lajmin me ndjekësit përmes On The Jlo.com, një formë buletini për të përditësuar fansat, që përfshinte një video të shkurtër ku ajo shihte me adhurim një unazë diamanti në ngjyrë të gjelbër.

Lopez e parapriu njoftimin e madh me një video në rrjete sociale. “Pra, kam një histori vërtet emocionuese dhe të veçantë për të ndarë me ju…”, u tha J.Lo ndjekësve të saj. Përpos kësaj, shtoi një emoji unaze diamanti te emri në Twitter.

Jennifer, 52 vjeçe, dhe Affleck, 49 vjeç, u përfolën se janë fejuar në fillim të kësaj jave, kur ajo u fotografua me një unazë në gishtin e e martesës, teksa bënte pazar në Los Angeles me vajzën 14-vjeçare, Emme.

Fejesa është e dyta për çiftin. Në nëntor të vitit 2002, Ben Affleck i propozoi me një diamant rozë 6.1 karatësh me vlerë 2.5 milionë dollarë. Fejesa nuk përfundoi në martesë pasi vëmendja masive e mediave e detyroi çiftin që të anulonte dasmën e vitit 2003.

Bennifer u ndanë në vitin 2004. J.Lo u martua me Marc Anthony-n në qershor të atij viti. Ata kanë bashkë binjakët Max dhe Emme, që erdhën në jetë në vitin 2008. Affleck u martua me Jennifer Garner në vitin 2005 dhe kanë tre fëmijë: vajzat Violet dhe Seraphina si edhe djalin Samuel.

Pas martesave që përfunduan në divorc, ata të dy kanë pasur disa lidhje të përfolura – si Jennifer me Alex Rodriguez ose lidhja e Affleck me aktoren Ana de Armas – derisa e gjetën sërish rrugën te njëri-tjetri.

Ben Affleck tha për revistën WSJ. në dhjetor se ndihet me fat për shanset e dyta, si në punë ashtu edhe në jetën personale.

Gjatë një interviste në nëntor në Today show, Lopez u pyet nëse do të donte t’i dëgjonte sërish fjalët magjike: “A do të martohesh me mua”.

“S’e di! Besoj që po. Ju më njihni, unë jam romantike. Kam qenë gjithmonë e tillë. Jam martuar disa herë dhe sërish besoj te dashuritë me fund të lumtur. 100%”.

Anabelmagazine