“Bëmë një ndeshje spektakolare”, Levandovski: Ky Bajerni i vërtetë, golat për Mylerin

Robert Levandvoski bëri edhe dje atë që di të bëjë më mirë, të shënojë gola. Sulmuesi polak shënoi dy herë në fitoren 3-1 të skuadrës së tij duke treguar se dhe në këtë sezon do të jetë një nga lojtarët favoritë për të fituar “Këpucën e Artë” në kampionat.

Ai fitoi duelin personal me Erling Halandin, i cili, edhe pse pati disa raste të pastra, nuk arriti të shënonte përballë Nojerit. “Jam shumë i lumtur, – tha Leva pas ndeshjes.

“Ishte një ndeshje e bukur dhe besoj që tifozët e kanë shijuar. Ne lojtarët në fushën e lojës jemi shumë të kënaqur që publiku u rikthye”.

Ai nuk harroi t’ia dedikonte golat e tij ish- sulmuesit të Bajernit, Gerd Mylerit, i cili u nda të dielën nga jeta në moshën 75- vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. PËR GOLAT – “Jam i lumtur që dhe sot (dje) shënova duke ndihmuar skuadrën të fitojë një trofe të rëndësishëm. E thashë edhe pas ndeshjes me Gladbahun që duhet të kemi durim, pasi skuadra nuk është ende në 100% të formës. Sot bëmë më mirë duke shfrytëzuar edhe gabimet e kundërshtarit”.

PËR SEZONIN“Do të jetë një sezon i gjatë dhe i vështirë. Mendoj që si ne, ashtu dhe Dortmundi do të jemi skuadrat kryesore që do të luftojmë për titull. Borusia tregoi edhe sot se mund të jenë një kërcënim për ne. Gjithsesi, është herët për të bërë parashikime, duhet të presim muajt në vazhdim”.

PËR GERD MYLERIN “Ai ishte një ikonë, një golashënues, një inspirim për shumë futbollistë në Gjermani, dhe jo vetëm. Jam i lumtur që sot shënova, golat janë për të. Më vjen keq që na la para kohe. Uroj që familja të gjejë forcën për të përballuar humbjen e Gerdit, ai do të mbetet gjithmonë një ikonë e Bajernit të Mynihut dhe kombëtares gjermane edhe në vitet e ardhshme”.

PANORAMASPORT.AL