Bella Hadid, vajza më e bukur në botë flet për problemet që ka me shëndetin emocional dhe vetëbesimin
Epo ja që edhe Bella Hadid paska probleme me vetëbesimin! E quajtur “vajza më e bukur në botë”, Hadid është një ndër modelet më të famshme dhe të suksesshme për vitin 2022. Sipas shkencës, supermodelja ka marrë vlerësimet maksimale sa i përket simetrisë së fytyrës, por ndonëse duket paksa e pabesueshme, edhe ajo si çdo njeri ka pasiguri të cilat lidhen me pamjen e jashtme. Në fakt, Hadid është hapur herë pas here për këto pasiguri dhe problemet e shëndetit emocional, duke u kujtuar personave që janë në një situatë të ngjashme se nuk janë vetëm.
Kohët e fundit ajo ndau me ndjekësit se prej vitesh nuk është ndjerë aspak mirë me veten. Bella shpjegoi se vetullat i janë dukur gjithmonë jo të bukura dhe se nuk e pëlqente fare fytyrën e saj të rrumbullakët gjatë viteve të adoleshencës. Ajo gjithashtu ka bërë një ndërhyrje në hundë kur ishte vetëm 14 vjeç, por tani vite më vonë tregon se është penduar për këtë vendim pasi dëshironte të kishte mbajtur hundën e të parëve të saj. Edhe pse ka pasur zëra se Hadid ka kryer procedura të tjera, modelja i ka mohuar gjithmonë.
Ajo ka shprehur publikisht: “Unë kurrë nuk kam përdorur filler. Le t’i japim fund kësaj. Nuk kam asnjë problem me filler-at, por thjesht nuk janë për mua.”
Bella ka folur publikisht edhe për diagnostikimin me sëmundjen “Lyme” që në vitin 2012 duke treguar se është në luftë të vazhdueshme me veten dhe perceptimin që njerëzit kanë për këtë sëmundje bakteriale. Lyme ka një ndikim të madh në shëndetin e saj emocional dhe fizik. Modelja ka shpjeguar se sëmundja autoimune është e pashërueshme dhe i shkakton ankth kronik, dhimbje trupi dhe ndryshime në fytyrë. Ajo shpesh ndan me ndjekësit e saj në platformat “Instagram” dhe “TikTok” rreth betejave që kalon në përditshmëri dhe menaxhimit të karrierës në këto kushte. Hadid inkurajon të gjithë fansat të cilat janë duke kaluar eksperienca të ngjashme, që të tregohen të fortë. Ajo thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor dhe rëndësinë e mbështetjes nga miqtë e afërt dhe familjarët.
Bella tregon se përpiqet ta nisë ditën me mendime pozitive, ndonëse mendja e saj e ka të vështirë të besojë se gjërat po shkojnë mirë, pasi ankthi është shumë i madh. Një nga “mantrat” e saj të preferuara është t’i kujtojë vetes se është me fat dhe mirënjohëse për gjithçka që universi i ka dhuruar.