Bella Hadid flet për betejat ‘torturuese’ me shëndetin mendor

Bella Hadid thotë se problemet e saj me shëndetin mendor janë fajtorë për arsyen pse ajo nuk ka bashkëpunuar me një stilist personal “prej një kohe të gjatë”.

Duke folur për WSJ Magazine, supermodelja 25-vjeçare zbuloi se ka qenë “në një gjendje kaq të çuditshme mendërisht” sa ishte vërtet e ndërlikuar për të që “të dilte nga shtëpia dhe të vishej, veçanërisht duke marë parasysh ankthin e fotografëve.”

“Në vitin e fundit, ishte shumë e rëndësishme për mua të mësoja se edhe nëse njerëzit flasin për stilin tim, nëse u pëlqen apo nuk e pëlqen, nuk ka rëndësi, sepse është stili im. Kur dal nga shtëpia në mëngjes, ajo që mendoj është: A më bën kjo të lumtur? A ndihem mirë me këtë veshje dhe a ndihem rehat?”

Modelja ka folur më parë për shëndetin e saj mendor përmes Instagramit vitin e kaluar, ku zbuloi se ka “vuajtur nga depresioni dhe ankthi ekstrem” për pjesën më të madhe të jetës si adoleshente dhe e rritur. Hadid gjithashtu shpjegoi për WSJ pse vendosi nëntorin e kaluar të postonte selfie të vetes duke qarë.

“Unë kisha episode vërtet depresive dhe nëna ose doktori më pyesnin se si isha dhe në vend që të përgjigjesha me tekst, unë thjesht u dërgoja atyre një foto,” tha ajo. “Ishte gjëja më e lehtë për mua në atë kohë, sepse nuk isha në gjendje të shpjegoja se si ndihesha.”

“Kisha vetëm dhimbje torturuese dhe dobësuese mendore dhe fizike dhe nuk e dija pse. Kjo ka ndodhur gjatë tre viteve të fundit,” zbuloi Bella, duke shtuar se kur ajo postoi fotot, ishte “për t’u siguruar që kushdo që ndihej ashtu ta dinte se ishte ok të ndihej ashtu.”

Hadid tha për median se shpreson që ndjekësit e saj ta dinë se ndërkohë që gjërat “duken kaq bukur” në Instagram, “në fund të ditës, kemi të gjithë problemet tona”.

Bella rrëfeu se ka pasur ditë të mira dhe të këqija, por theksoi se nuk është penduar për sa shumë ka ndarë me të tjerët në rrjetet sociale.