BEKTASHILAND / Zbulohet struktura e shtetit të ri!

TIRANË / NJU JORK / MALI I TOMORRIT – Baba Mondi kishte nisur të ndukte një kofshë qingji, kur i thanë se sapo kishte dhënë një intervistë për gazetën amerikane Nju Jork Tajms.

Ç’ne, tha me vete i çuditur, se unë nuk di as anglisht. Por nuk e vrau shumë mendjen. Çfarë s’bën vaki, mendoi, edhe nëse nuk shkon Baba Mondi në Nju Jorkt, vjen Nju Jorku te Baba Mondi.

Por kofsha e qingjit mbeti jetime, kur mori vesh se ç’kishte thënë në gazetë:

Do krijohet shteti i ri shpirtëror bektashian, falë nismës së kryeministrit Rama; do jetë si biçim Vatikani në mes të Tiranës, dhe do shpërndajë harmoni fetare dhe bashkëjetesë shembullore; shteti do ketë pasaportat e veta ngjyrë jeshile, me të cilat banorët e Bektashilandit do udhëtojnë nga njëra lagje e Tiranës në tjetrën; ky lajm i mrekullueshëm është meritë e kryeministrit, dhe shyqyr që erdhi kjo ditë, sepse “Zoti na e ka dhënë mendjen që të mendojmë!”

***

Kryegjyshi i bektashinjve nuk dinte, të gëzohej apo të shqetësohej. Paskësh folur aq mirë në gazetën e madhe amerikane, sa ishte aty-aty me Ramën për nga elokuenca. U kërkonte ndihmësve ta largonin qingjin nga tryeza, se interferonte me mendimet. Ndërkohë lajmi-rrufe kishte nisur të gëlonte në internet dhe media. Shumica talleshin, ndaj duhej një reagim.

Formuloi një deklaratë për shtyp: “Kryegjyshi do dalë së shpejti me një njoftim zyrtar, për t’u vënë fre thashethemeve të orëve të fundit mbi çështjen e Urdhrit Sovran të Bektashinjve”. Ia dërgoi shtypit, kur pas pak i ra telefoni. Ishte Rama.

“Po hë more Baba, si të kam?”, i tha kryeministri.

Kryegjyshi u mek: “Po jini ju mirë, edhe ne mirë jemi, shoku kryeministër… dmth zoti Rama. Mos ma vër re, se më kanë mbetur ca shprehje që kur isha kapter në ushtrinë popullore”.

“Po mirë, çfarë thashethemesh do të përgënjeshtrosh ti, ato që ke folur vetë në Nju Jork Tajms? Dëgjo Edmond: Thashethem quhet kur të vënë në gojë fjalë që nuk i ke thënë, jo kur jep intervistë, dëgjon mo!”

“Qartë shoku Edi… zoti Rama. U nxituam pak si kryegjyshatë. Po juve ju dhëntë zoti ymër, se paski patur një ide të shkëlqyer. Sa lexova shkrimin, m’u duk sikur vetë Abaz Aliu fluturoi mbi kalë mbi teqenë tonë. Po ju paski qenë evliha…”

“Okej okej leri furçat, po dëgjo tani. Se po na eci kjo punë, do të të kem dhe koleg, kryeministër i bektashinjve, merr vesh. Lëri për nja dy orë ato qingja, ato kukurrecna, dhe mendo seriozisht strukturën e shtetit të ri! Se pas pak do ta shpall edhe zyrtarisht idenë e shtetit bektashian, mu në mes të OKB-së”.

***

Baba Mondit iu pre oreksi. Atypëraty u bë merak, se kjo s’i kishte ndodhur kurrë, por e kuptoi që e kishte nga gëzimi. Mblodhi këshilltarët dhe krijoi një shtab ku u diskutuan detajet e shtetit.

U ra dakord që përderisa kryegjyshi do ishte kryeministër, ministrat do të ishin gjyshër. Zëvendësministrat do quheshin xhaxhallarë e dajallarë. Drejtorët e drejtorive do quheshin kunetër e baxhanakë. Pa harruar për asnjë çast barazinë gjinore, për analogji ministreshat do ishin gjyshe, zëvendëset e tyre halla dhe teze; ndërsa një zv.kryeministre, që afërmendsh duhet të ishte femër, do të merrte titullin e Hallës së Madhe.

Sipas strukturës, vijonin më tej kunatat, krushkat etj, ndërsa specialistët e rinj të sapopunësuar do të quheshin nipçe dhe mbeska. Të gjitha, burra e gra, do të vishnin çfarë të donin dhe mund të pinin raki pas orarit të punës, ndërsa gjatë 8-orarëshit, vetëm birra.

Një nga anëtarët konservatorë të shtabit shprehu edhe ndonjë rezervë.

“E kam llafin tek brezat e rinj,” tha konservatori, “se të rinjtë e sotëm kanë ca emra të çuditshëm dhe nesër-pasnesër, kur të rriten në përgjegjësi dhe të bëhen udhëheqës, mund të na dali ndonjë Baba Jurgen, Baba Françesko, apo Haxhi Dede Amarildo. Sikur stonon pak, apo jo!”

“Rri mor ti aty, prapanik,” ja preu kryegjyshi, “pse mua që ma vunë emrin Edmond, si konti i Montekristos, çfarë më gjeti?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike në prag të falimentimit për shkak të konkurrencës qeveritare

voxnews.al