Befasi për firmën me Dybalan: Milan parakalon Inter, falë dëshirës së argjentinasit
Paulo Dybala në Milano, por jo tek Inter. Kushërinjtë e zikaltërve, Milan janë tani diçka më shumë se fantazi, por gjithësesi ende larg realitetit. Radiomercato, surprizisht, ka folur për preferencën e argjentinasit për skuadrën kuqezi, në rast të qëndrimit në Serie A. Corriere dello Sport raporton në fakt se Joya do të preferonte të shkonte në Milanello më shumë se të transferohej te Inter ku do të gjente sërish Marottën. Dybala sigurisht që do t’i shkonte për shtat skuadrës së Piolit, por ka një pengesë thuajse të pakapërcyeshme: pagesën. Të paktën dyfishi në krahasim me atë që Maldini ka vendosur si kufi pagash, pra maksimumi 4.5 milionë euro në vit. Një përjashtim mund të bëhet si me Ibrahimovic (7 milionë në sezon), por mund të dëmtojë ekuilibrin në dhomat e zhveshjes.
Zgjedhje për t’u vlerësuar në detaje, por ndërkohë fantazisti argjentinas i shkeli syrin Milanit. Dybala përmes menaxherëve të tij e ka bërë të qartë se është i gatshëm të flasë për këtë lëvizje dhe tani topi është në këmbët e Maldinit, Massaras dhe Gazidis. Pastaj do t’i takojë Elliott të thotë fjalën e fundit në nivelin ekonomik, sepse në planin teknik operacioni duket i padiskutueshëm. Numri 10 i Juventusit, me parametër zero, në fakt do të ishte një përforcim i madh për sulmin e Piolit, ndoshta dhurata e duhur për kualifikimin në Champions League, tashmë praktikisht e sigurt.
Interi është spostuar disi, por mbetet në dritare. Në ditët e fundit, Marotta ka folur disa herë me Antun, menaxherin e Dybalas, por i duhet të luftojë me arkat e zikaltërve që t’i dalin llogaritë. Edhe këtu negociatat nuk janë të lehta, pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera. Alternativa për Joya është gjithmonë në kampionatet e tjera, për momentin prioritet, por duket se ka pak zgjidhje. I përbuzur në Spanjë nga Barcelona dhe Real Madrid, Premier League dhe PSG mbeten mundësitë e vetme. Në Angli është destinacioni më i akredituar, por edhe Manchester United e Tottenham po e mendojnë dhe presin kohë më të mira.